Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura në atletikë, që ishte planifikuar të zhvillohej këtë të shtunë në Stamboll, është anulluar, ashtu sikurse të gjitha aktivitetet sportive në mbarë Turqinë. Shkak është tërmeti katastrofik që ka goditur Turqinë Qendrore dhe Sirinë të hënën në mëngjes me magnitudë 7.8, i shoqëruar me të njëjtën madhësi dhe në mesditën e fillimit të kësaj jave. Në këto kushte ka qenë e pamundur mbajtja e kësaj Ballkaniade, që tashmë për këtë vit është hequr nga kalendari i veprimtarive të Federatës Ballkanike të Atletikës. Shqipëria do të merrte pjesë me David Nikollin, Luiza Gegën, Franko Burrajn, Muhamet Çengelin dhe Erisa Rrasën, të cilët do të shoqëroheshin nga trajnerët Taulant Stërmasi dhe Bruno Rrotani.
Ndërkohë vendosja për 3 muaj e gjendjes së jashtëzakonshme nga autoritetet turke mund të vërë pikëpyetje dhe për aktivitete të tjera ndërkombëtare, njëri prej të cilëve është Kampionati Europian i sallave të mbyllura në Stamboll, më 2-5 mars. Ndonëse deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga Federata Europiane e Atletikës, gjë të cilën do ta kishin mësuar dhe autoritetet e institucionit më të lartë të “mbretëreshës” së sporteve në vend. E në këto kushte atletëve tanë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përgatiten për aktivitetet e verës, të cilat në pjesën më të madhe janë dhe kualifikuese për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.