RTSH Sport Live

Teuta, entuziaste para Kupës së Shqipërisë

  • 27/01/2023
  • |
  • Basketboll
Teuta, entuziaste para Kupës së Shqipërisë
Lazimi dhe Simpson e shohin të mundshëm marrjen e trofeve për sezonin 2022-2023

Teuta në basketboll për meshkuj tanimë është gati për ndeshjen gjysmëfinale me Tirana Neptun në Kupën e Shqipërisë, e cila të shtunën do të luhet në ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Fllakës. Melzin Lazimi, trajneri i “djemve të detit”, parë dhe ndeshjen e luajtur me Partizanin ka shpjeguar gjendjen e ekipit.

"Jam shumë i kënaqur, sidomos në ndeshjen me Partizanin, që besoj se ishte një ndeshje shumë e mirë. Arritëm të aktivizonim të gjithë lojtarët. Kemi folur sistematikisht gjatë gjithë janarit. Kemi bërë një fazë të mirë përgatitore dhe tani jemi gati për t'u paraqitur në Kupën e Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme", thotë Lazimi.

I kënaqur për atmosferën në ekip është dhe Xherin Simpson.

"Atmosfera është shumë e mirë. E pëlqej shumë këtë ekip. Për më tepër dhe trajnerin e skuadrës", bën të ditur amerikani.

E fokusi është tek Tirana, kundërshtar i cili ka qenë përballë Teutës dhe në finalen e Superkupës fituar nga bardheblutë. Lazimi dhe Simpson shpjegojnë.

"Ndeshja e parë na takon me Tiranën. Është një ndeshje e fortë, ashtu sikurse ishte dhe takimi i Superkupës. Besoj se fituesin do ta ndajnë detajet. Megjithatë jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi patur kohën e duhur për t'u përgatitur", deklaron Lazimi.

"Tirana është një ekip shumë i mirë. Jemi ndeshur dhe në Superkupë dhe jam gati për të bërë një tjetër ndeshje të bukur", nënvizon Simpson.

E në fund i pari i pankinës durrsake shpall dhe objektivin final të Teutës, titullin kampion, ashtu sikurse ka qenë edhe sezonin e kaluar.

"Tanimë për një vit e gjysëm kemi patur rezultate të shkëlqyera. Kemi qenë gjatë gjithë kohës në vendin e parë në kampionat. Arritëm të fitonim trofeun e tretë në gati 1 vit kohë. Dhe si rrjedhojë dëshira për të fituar mbetet e njëjtë", ka përfunduar Lazimi.