RTSH Sport Live

Tirana, fitore mes tensionit. Laçi “fundos” Apoloninë

  • 08/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, fitore mes tensionit. Laçi “fundos” Apoloninë
Tirana dhe Laçi kanë arritur fitore në këtë javë të 32-të, me të njëjtin rezultat, 1-0, duke mundur respektivisht Kastriotin e Apoloninë

Kanë përfunduar dy ndeshje të Javës së 32-të të Kategorisë Superiore për ditën e shtunë, ku Tirana dhe Laçi kanë arritur të triumfojnë ndaj kundërshtarëve të tyre, respektivisht përballë Kastriotit dhe Apolonisë.

Në “Selman Stërmasi”, bardheblutë nuk e kanë patur aspak të lehtë përballë krutanëve, por falë golit të Hoxhallarit me kokë në minutën e 78-të, kanë arritur të marrin tri pikë të arta. Moment i cili ka sjellë dhe tension tek drejtuesit e krutanëve, që kanë pretenduar se nuk është respektuar Fair Play. Një ndeshje e luftuar që në fund u ka buzëqeshur bardhebluve, të cilët janë ngjitur në kuotën e 53 pikëve, një pikë pas Vllaznisë. Ndërkohë, krutanët kanë ndërlikuar akoma më tej situatën e tyre në klasifikim, Bylisi është vetëm një pikë larg.

Një gabim në mbrojtje me fillimin e pjesës së dytë i ka kushtuar shumë shtrenjtë skuadrës së Apolonisë, e cila ka lejuar Laçin të shënojë golin e fitores në këtë javë të 32-të të Superiores. Pikërisht në minutën e 48-të të sfidës, Emiljano Musta ka përfituar, duke shënuar në portën e mbrojtur nga Harizaj. Një sfidë e luftuar, por që në fund i ka dhuruar tri pikë skuadrës së trajnerit Shpëtim Duro, që është ngjitur në kuotën e 56 pikëve, ndërkohë, Apolonia zhytet akoma më shumë në vendin e fundit, vetëm 20 pikë të grumbulluara.

 

TIRANA-KASTRIOTI 1-0

Shënues: Hoxhallari 78’

APOLONIA-LAÇI 0-1

Shënues: Musta 48’