RTSH Sport Live

Tirana kampione dhe protagonistët e suksesit

  • 05/05/2023
  • |
  • Basketboll
Tirana kampione dhe protagonistët e suksesit
Kampi bardheblu ka përjetuar emocionet më të mëdha të viteve të fundit në sportin e koshit

Tirana kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për herë të 21-të, ndërsa një trofe i tillë për bardheblutë vjen pas pesë vitesh mungesë. Festë dhe atmosferë gjigante në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa në gëzimin e lojtarëve bardheblu janë përfshirë dhe tifozët. Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka vlerësuar gjithçka që lidhet me përfundimin me sukses të sezonit 2022-2023 në koshin shqiptar.

"Mendoj se ia vlejti. Tirana ishte një ekip më i organizuar. Fitoi me meritë dhe me këtë rast do të doja të falënderoja të gjithë basketbollistët e të dy ekipeve. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë Pallat Sportit dhe të gjithë ata që ditën ta vlerësonin këtë ndeshje. Falënderoj dhe organet e rendit që u treguan mjaft të gatshëm për të ruajtur qetësinë", shpjegon Avni Ponari.

Tirana ka protagonistët e saj të suksesit, aq më tepër që gjithçka erdhi me përmbysje. Endrit Hysenagolli, Klein Strazimiri dhe Redi Vogli për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar tregojnë emocionet e trofeut të fituar.

"Mendoj se jemi ekipi më i mirë në Shqipëri. E treguam këtë, pavarësisht se Besëlidhja ka një ekip shumë të mirë. E kam thënë dhe më parë që diferencën në këtë ndeshje e bëjnë lojtarët shqiptarë pasi luajnë më me zemër. Siç dihet Besëlidhja ka gjashtë të huaj dhe nuk besoj se e ndjejnë fanellë sa e ndjejmë ne fanellën e Tiranës", thotë Hysenagolli

"Titulli do vinte dhe erdhi nga mbrojtja, teksa në ndeshjen e sotme nuk kemi pësuar më shumë se sa 66 pikë. Kemi treguar karakter gjatë gjithë sezonit. Sot ia dolëm dhe Tirana pas 17 vitesh kthen një rezultat që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Për këtë jam i lumtur dhe jam krenar për të gjithë çunat e ekipit", nënvizon Strazimiri.

"Falë tifozerisë më të madhe në Shqipëri, Tirona-Fanatics, ne ia dolëm. Dhe të gjithë këtë mund e sakrificë ia dedikoj atyre, sepse falë tyre e kemi këtë trofe. Po të kishim qenë pa ato vështirë se do ta realizonim. Gjithsesi uroj çunat e ekipit që kanë dhënë maksimumin gjatë gjithë sezonit me ulje-ngritjet e vazhdueshme", tregon Vogli.

Por arkitekti i kësaj Tirane, që mundi në finale Besëlidhjen, të fundit 89-64, atëherë kur të gjithë u bindën se ky kampionat nuk ka kthim pas, është trajneri Erkand Karaj.

"Vështirësitë më të mëdhaja janë si trajner dhe përgjegjësitë më të mëdha, por kënaqësia qenka më e madhe. Më duhet të falënderoj të gjithë çunat, nga i pari tek i fundit", shfaqet i kënaqur Erkand Karaj.    

Keqardhje në kampin lezhjan. E kjo duket edhe tek trajneri Afrim Bilali, që gjithsesi me shumë sportivitet pranon verdiktin e kësaj finaleje.

"Basketbolli luhet për tifozat, luhet për kënaqësi. Basketbolli është për të na bashkuar dhe jo për të na ndarë. Ngelet me uru Tiranën dhe inshallah vitin tjetër Besëlidhja bëhet edhe më mirë", pohon Afrim Bilali.

Me Tiranën kampione për meshkuj dhe Flamurtarin për femra basketbolli shqiptar ul siparin e sezonit 2022-2023 për të menduar një kampionat ndryshe sezonin e ardhshëm.