RTSH Sport Live

Tirana, kampionia e përmbysjeve të mëdha

  • 04/05/2023
  • |
  • Basketboll
Tirana, kampionia e përmbysjeve të mëdha
Bardheblutë fitojnë trofeun e 21-të në koshin shqiptar, mundin Besëlidhjen 89-64

Tirana është kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për herë të 21-të. Një trofe që kthehet në klubin bardheblu pas pesë vitesh, por që bëhet më i bukur, sepse erdhi me përmbysje. Nga 0-2 për Besëlidhjen në 3-2, ndërsa salla kryesore e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” të enjten në mbrëmje është veshur me ngjyra bardheblu. Mbi 3000 veta në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” kanë shijuar spektaklin e Tiranës, e cila ka fituar me 25 pikë diferencë ndaj Besëlidhjes në finalen e pestë për titull kampion. 89-64 shifrat përfundimtare në një loje e cila ka nisur si e barabartë, të paktën në periodën e parë, e cila ka fiksuar shifrat 21-21.

Luhet pikë më pikë në periodën e dytë, por përsëri me fitoren e Tiranës, 17-20 dhe në pushim ekipi i Erkand Karajt ka kryesuar 38-41. Shkëputja e madhe ka nisur në periodën e tretë, që Tirana e ka fituar 25-13 duke thelluar në 66-51. E fundit 13-23 po për Tiranën për të vulosur shifrat 89-64 dhe bardheblutë kampion të Shqipërisë. Një trofe që e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Korab Llazani.

Por nuk kanë munguar në shpërndarjen e trofeve dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ish-basketbollisti bardheblu, Gerti Shima, dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sporti, Endrit Hoxha. Julian Hamati lojtari më i mirë i finaleve, kurse Redi Vogli ka ngritur kupën e 21-të të Tiranës në basketboll për meshkuj. Sigurisht që ka patur dhe incidente dhe përplasje mes tifozerive, aq sa është dashur dhe ndërhyrja e forcave të rendit për qetësimin e situatë. Por në fund fitoi basketbollin me Tiranën kampione të sezonit 2022-2023.

GJERGJ VYSHKA