RTSH Sport Live

Tirana nxjerr “blof” Flamurtarin

  • 02/12/2023
  • |
  • Basketboll
Tirana nxjerr “blof” Flamurtarin
Vlonjatet munden në kryeqytet për herë të dytë brenda tre ditëve, këtë herë për kampionat

Flamurtari në basketboll për femra ka pësuar një tjetër humbje në kryeqytet e kjo në harkun kohor të tre ditëve. Pas Partizanit në Superkupën e Shqipërisë, tanimë është Tirana, e cila për llogari të kampionatit, triumfon ndaj vlonjateve, 60-59, në ndeshjen e ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Perioda e parë është 17-13 për Tiranën. Bardheblutë e Mirza Alibegajt ruajtën të njëjtin ritëm dhe në periodën e dytë, që e fituan 15-13 dhe në pushim kanë kryesuar 32-26. Pas pushimit Flamurtari mundohet të rekuperojë në rezultat. 15-17 perioda e tretë për vlonjatet, që afrohen në 47-43. Luftohet fort në periodën e katërt, që Flamurtari e ka fituar 13-16, por në përfundim 60-59 për Tiranën. Në përfundim të ndeshjes për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar kanë ardhur trajneri i Flamurtarit, Agim Dalipi, dhe ajo e Tiranës, Mirza Alibegaj

"Pas një stërmundimi në Superkupën e Shqipërisë në ndeshjen me Partizanin, e cila ndikoi shumë në gjendjen fizike të skuadrës, erdhi kjo sfidë me Tiranën. Sado që u munduam të rigjeneronim forcat e skuadrës fusha tregoi që skuadra nuk ishte plotësisht në gjendjen optimale fizike. Dhe në këtë rast na ndëshkoi kalendari", thotë Agim Dalipi pas ndeshjes.

"Ekipi i Flamurtarit dihet që është një ekip shumë i mirë. Është ndër pretendentët kryesorë të kampionatit. Është pretendent prej vitesh dhe dihen cilësitë e tij. Patjetër që me Flamurtarin nuk mund të lirohesh. Duhet të lirohesh në mënyrë të atillë siç bëmë ne që nga 12 pikë diferencë të paktën e ruajtëm fitoren me një pikë diferencë", pohon Mirza Alibegaj.