RTSH Sport Live

Vllaznia, Brdariç nuk ka dyshime: E mundim Teutën

  • 02/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Brdariç nuk ka dyshime: E mundim Teutën
Trajneri i kuqebluve ka analizuar ndeshjen me durrsakët, që do të luhet të hënën në “Loro Boriçi”, ora 18:00

Në “Loro Boriçi” luhet për vendin e parë. Vllaznia do të presë Teutën, në një sfidë që do të thotë shumë për të dyja skuadrat, që kanë mundësinë për tu afruar me titullin kampion. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, që do të startojë në orën 18:00, të hënën, trajneri i kuqebluve, Tomas Brdariç është paraqitur në konferencë për shtyp duke bërë analizën e radhës.

“Kemi analizuar ndeshjen me Tiranën dhe problemi ishte finalizimi kishim mungesë përqendrimi dhe nuk u përkushtuam shumë në ndeshje. Megjithatë, mund të them se ishte një ndeshje e mirë, e mbajtëm më shumë topin, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nesër duhet të tregohemi më cinikë, duhet të shfrytëzojmë rastet që do na krijohen. Me Teutën është një hap drejt titullit. Do të përballemi me një skuadër ndryshe, kryesuese dhe shumë të fortë. Por dimë se si ti mundim, mendoj se i kemi aftësitë për të fituar”.

“Ne marrim në konsideratë çdo rezultat, sepse edhe më parë kemi marrë rezultate negative, por kjo nuk ka ndikuar në punën tonë. Ne po rritemi, jemi në proçes e sipër. Jemi në progres të vazhdueshëm, çdo rezultat ndikon në rritjen tonë.  Nesër do të jetë një ndeshje e fortë, por i kemi mundësitë për të fituar. Teuta ka element që bëjnë diferencën, por edhe ne kemi lojtarë të tillë”.

“Një favorizim për ne është fakti që luajmë në shtëpi. E rëndësishme është që të jemi mirë fizikisht dhe të bëjmë një ndeshje mbi mesataren nga fillimi në fund. Jo të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë, por në fushë do zbresin ata që janë më në formë. Duhet të tregohemi të saktë para portës kundërshtare. Do të marrim tri pikë ndaj Edi Martinit nesër. Më pas do pijmë verë të bardhë së bashku, e paguaj unë”.