RTSH Sport Live

Vllaznia, Brdariç: Të mësojmë nga momentet e vështira

  • 23/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Brdariç: Të mësojmë nga momentet e vështira
Vllaznia do të presë të dielën Kastriotin, ora 16:45, takim i vlefshëm për javën e 16-të të Kategorisë Superiore

Skuadra kryesuese e Kategorisë Superiore, Vllaznia, do të zbresë të dielën në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, ora 16:45, ku do të përballë me Kastriotin. Trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç, i cili sot ka festuar 46 vjetorin e lindjes, ka shfaqur mendimin e tij për rrugën që e pret.

Në fillim të konferencës për shtyp, trajneri i skuadrës shkodrane ka falenderuar të gjithë ata që e surprizuan duke i uruar ditëlindjen në një mënyrë të veçantë.

“Faleminderit të gjithëve për urimet, shpresoj që edhe ju të jeni mirë. Ju duhet të besoni dhe ju falenderojmë për bashkëpunimin që keni me ekipin”, ka deklaruar trajneri.

“Do të ishte bukur të festohej me fitore ndaj Kastriotit. E rëndësishme është që jemi të gjithë të shëndetshëm. Është e rëndësishme që shëndeti të jetë primar, sepse shumë veta kanë humbur jetën në këtë periudhë pandemie. Nëse jemi mirë, çdo gjë tjetër rregullohet”.

Janë luajtur vetëm 15 javë dhe kroato-gjermani është i vetëdijshëm se gjatë rrugës mund të ketë dhe ulje-ngritje.

 “Ne duhet të mësojmë prej çdo momenti. Kanë ikur 15 javë dhe do të kemi ulje-ngritje. Duhet të mësojmë prej këtyre situatave dhe t’i kalojmë”.