Konferenca e sotme për shtyp, vetëm 24 orë përpara takimit me Elbasanin, ka qenë një shans i mirë për Tomas Bërdariç për të treguar se është mjaft i kënaqur me rinovimin e kontratës së Bekim Balajt. Trajneri gjerman ka dashur që të shfrytëzojë këtë hap të bërë nga klubi shkodran për të motivuar lojtarët për takimin e radhës.
“Ne duhet ta shijojmë rinovimin e Balajt, është i rëndësishëm për klubin, e meriton dhe ka uri të shtyjë ekipin. Me personalitetin e tij do ta shtyjë Vllazninë drejt hapit të radhës dhe i kam thënë Bekimit që të luajë mirë dhe të shënojë, por të jetë lider për lojtarët e rinj”, komentoi trajneri i Vllaznisë.
Një tjetër temë e konferencës ishte edhe ajo në lidhje me formacionin e mundshëm. “Kemi një formacion tjetër, zëvendësojmë Jagon dhe Melon që janë me kartonë të kuq, kemi disa lojtarë që luajnë në disa pozicione, është mundësi e mirë dhe për ata që janë në stol dhe po punojmë me të gjithë për të qenë gati për nesër. Është një situatë e mirë, duhet të kemi rezultate të mira në fund të sezonit, është diçka tradicionale, të fokusohemi dhe do shkojë çdo gjë mjaft mirë. Deliu dhe Çoba do të jenë nesër, do kemi ekip kompetitiv dhe shpresojmë të fitojmë nesër përpara tifozëve tanë. Shkojmë për çdo ndeshje ti fitojmë ato, të jemi me këmbë në tokë dhe mos ti nënvlerësojmë ato, më vret ndeshja e fundit dhe nesër duhet të bëjmë edhe më mirë dhe të vazhdojmë e të shënojmë. Të dalim me një rezultat sa më të mirë”, tha tekniku.