RTSH Sport Live

Volejboll: Skënderbeu dhe Tirana, në finalen e titullit

  • 15/04/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Volejboll: Skënderbeu dhe Tirana, në finalen e titullit

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, Superliga, vijon rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, duke mbyllur edhe çështjen e dy skuadrave finaliste, teksa në Shkodër dhe në kryeqytet janë luajtur takimet e dyta të gjysmëfinaleve.

Kështu, Skënderbeu e ka mbyllur në dy ndeshje, çështjen e kualifikimit për në finale, teksa, pasi e kishte në 3 sete duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, ka vijuar të fitojë edhe në takimin e dytë, të  zhvilluar më herët të dielën. Skuadra korçare kapërceu humbjen e setit të parë në vetëm 17 minuta, 17-25, duke vijuar t’i fitojë 3 setet e tjera me shifrat përkatëse 25-19, 25-10 dhe 25-21 në sfidën e luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, duke përmbushur kështu synimin për ta mbyllur në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale.

Ndërkaq, në duelin tjetër, të luajtur më vonë, pasi e kishte mbyllur në 4 sete duelin e parë të derbit e kryeqytetit me Partizanin, Tirana ka vijuar të bëjë të njëjtën gjë edhe në ndeshjen e dytë.

Takimi i zhvilluar në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë në Farkë dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, skuadra e drejtuar nga trajneri turk, Bylent Karshiollu, e ka fituar në 26 minuta setin e parë, me shifrat 25-22. Por të kuqet e homologes Amarilda Sijoni-Prenga do të reagojnë në të dytin, duke e fituar atë në 25 minuta me shifrat 25-21 dhe duke rikthyer baraspeshën në sete.

Por Tirana do të reagojë në setin e 3-të dhe do ta fitojë atë 25-20, në 28 minuta lojë, duke vijuar ta marrë edhe setin e 4-t në 26 minuta, me shifrat 25-20, dhe gjithë ndeshjen 3-1 me sete. Kështu, në finalen e “play-off”-it të titullit në Superligën e volejbollit të femrave do të përballet Skënderbeu dhe Tirana, ndërsa fituesja në fuqi, Partizani, është shkurorëzuar zyrtarisht.