RTSH Sport Live

Volejboll, "të kuqtë" ruajnë të paprekur kreun

  • 16/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Volejboll, "të kuqtë" ruajnë të paprekur kreun
Nis java e 10-të edhe tek meshkujt, Partizani-Studenti 3-0 erdhi drejtpërdrejt në RTSH

Edhe Kampionati Kombëtar i Volejbollit për meshkuj është rikthyer të premten në parket me takimet e javës së 10-të dhe ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka qenë derbi i vogël i kryeqytetit midis Partizanit dhe Studentit. Dhe të kuqtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomori kanë vijuar të ruajnë kryesimin me pikë të plota, teksa ka korrur fitoren e 10-të radhazi. Partizani e ka marrë setin e parë bindshëm, 25-14, duke qenë po kaq bindës edhe në setin e dytë, të fituar 25-15. Studenti do të përpiqet të reagojë në setin e 3-të, duke luftuar deri në fund, por është sërish Partizani që e fiton edhe setin e 3-të, 25-23, dhe gjithë ndeshjen 3-0 dhe mbetet i shkëputur në krye të renditjes, me 30 pikë, 9 më tepër sesa Erzeni, që është mundur 1-3 (25-22, 18-25, 21-25, 21-25) në Shkodër përballë Vllaznisë, që ngjitet në kuotën e 20 pikëve, në vendin e 3-të. Dy takimet e fundit të javës së 10-të, Skënderbeu-Teuta dhe Tirana-Elbasani, luhen të shtunën.