Redon Xhixha në vetëm 6 javë ka realizuar gjysmën e golave të sezonit të kaluar. Si për ironi, largimi i lojtarit më të fortë të Tiranës, Taulant Seferi duket se ka çuar ujë në mullirin e 24-vjeçarit të lindur në Laç që në sezonin e dytë si bardheblu, po bën gjithçka mirë duke shfrytëzuar hapësirat që ka lënë golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar. 7 gola në 6 ndeshje, mesatare diçka më shumë se 1 gol për ndeshje, shpejtësi në kundërsulm, teknikë dhe cinizëm i theksuar përpara portës.
Lojtari që presidenti Halili e transferoi pa u menduar dy herë, po ia shpërblen në mënyrën më të mirë të mundshme skuadrës kampione duke tejkaluar vetveten pasi sezoni i tij më i mirë në aspektin personal ishte ai i kaluari me 14 gola, shifër që duket se këtë sezon do ta kalojë ende pa u mbyllur viti nëse vijon me këtë ritëm dhe dëshirë. Dy golat e shënuar ndaj Partizanit janë treguesi më i qartë për aftësinë që ka ky lojtar për të vrarë kundërshtarin.
Kundërsulm me topin në këmbë, 50 apo 60 metra në të gjithë fushën dhe më pas instikti prej killeri në zonën e rreptësisë, pak rëndësi ka pozicionimi diagonal apo përballë portierit kundërshtar. Ndryshe nga sezoni i kaluar, Xhixha ka tendencën për t’u zhvendosur në qendër, i ndihmuar edhe nga modifikimi i vogël në dukje që Shehi i ka bërë skemës, sot jo më me 3 lojtarë të pastër në sulm por me një mesfushor disi më të tërhequr dhe dy sulmues të qartë në majën e repartit të avancuar.
5 gola brenda 15 ditëve të përmbledhur në dy javë të Superiores janë ndoshta një sinjal i papritur për të gjithë kundërshtarët e Tiranës që me siguri fërkuan duart pas largimit të Seferit.