RTSH Sport Live

Zgjedh të luajë në Rusi, humbet Botërorin

  • 20/06/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Zgjedh të luajë në Rusi, humbet Botërorin
Mbrojtësi Maciej Ribus ka firmosur për Spartakun e Moskës, Polonia e lë jashtë

Mbrojtësit të majtë të Polonisë, Maciej Ribus, i është thënë se nuk do të luajë për vendin e tij në Botërorin 2022 në Katar, pasi ai zgjodhi t’i bashkohej klubit rus të Spartakut të Moskës. 32-vjeçari Ribus ka luajtur 66 ndeshje me përfaqësuesen e Polonisë dhe u transferua tek klubi i kryeqytetit rus si lojtar i lirë më 11 qershor. Ndërkohë, Polonia refuzoi të luante me Rusinë në gjysmëfinalen e planifikuar të “play-off”-it të Botërorit 2022 në mars, për shkak të sulmit ushtarak rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt.

Vendi ka pranuar më shumë se 3.5 milionë refugjatë ukrainas që atëherë. Në një deklaratë të Federatës Polake të Futbollit thuhet se “trajneri i përfaqësueses polake, Çezua Mihnieviç, bisedoi me Maciej Ribusin, i cili aktualisht po qëndronte në Poloni, pasi kampi stërvitor i ekipit përfaqësues përfundoi javën e kaluar”.

 “Trajneri e informoi lojtarin se, për shkak të situatës së tij aktuale në klub, ai nuk do të thirrej për kampin stërvitor të shtatorit të ekipit përfaqësueses dhe se nuk do të merrej në konsideratë në ekipin që do të shkonte në Botërorin e Katarit”, - shtoi më tej deklarata në fjalë.

Ribus, i cili më parë ka luajtur edhe për Lokomotivën e Moskës midis 2017-ës dhe 2022-shit, tani nuk do të luajë në Botërorin që nis më 21 nëntor të këtij viti. Polonia është në Grupin C, së bashku me Argjentinën, Meksikën dhe Arabinë Saudite.