RTSH Sport Live

360 minuta në katër stadium, Euro 2020 mbyll grupet

  • 23/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
360 minuta në katër stadium, Euro 2020 mbyll grupet
Në lojë janë 8 skuadra për 4 vende në 1/8-at

2 grupe, 4 ndeshje, në lojë 4 vende bosh për fazën e 1/8-ave. E mërkura heq të gjitha pikëpyetjet dhe të tilla ka shumë në grupin e hekurt ku zbresin në fushë 6 Kupa Bote dhe po kaq Europe por edhe një skuadër modeste që përçon emrin e madh të së shkuarës por me të tashmen modeste.

18:00 Grupi E:  Sllovaki-Spanjë (Sevilje) dhe Suedi-Poloni (Shën Petersburg)

Ka shumë të panjohura në Grupin E me Spanjën rekordmene të trofeve që nuk duhet dhe nuk mund të largohet nga europiani në këtë mënyrë. Luis Enrique ka ndërtuar një lodër të bukur në 3D por ende jofunksionale dhe tranzicioni rrezikon të prishë planet e iberikëve.

Vetëm 2 pikë në po kaq takime, kontrolli steril i topit por edhe mungesa e një finalizuesi në vazhdimësi, duken sërish element të pamjaftueshëm për ta shtyrë Spanjën t’i bëjë keq vetes në duelin e fundit të grupit ndaj Sllovakisë që për momentin mban vendin e dytë me 3 pikë.

“La Cartuja” do të bëhet arena e gjykimit të pjesshëm të kësaj skuadre që ngjason me një magnet tërheqës kritikash dhe në asnjë rast një skuadër që argëton si në kohët e arta të Del Bosques. Këmba në gaz është detyrim dhe fitorja e pallogaritshme për të vijuar më tej, në të kundërt “La Furia Roja” duhet të mendojë për pushimet e qershorit pasi temperaturat në Formentera janë ideale.

Në mënyrë të pashmangshme, llogaritë e këtij grupi kalojnë edhe përmes Shën Peterburgut ku Suedia kryesuese do të tentojë të lëvizë fijet e ndeshjes me Poloninë, gjë që di ta bëjë shumë mirë skuadra skandinave. Me 4 pikë, sigurinë e biletës së 1/8-ave dhe komoditetin që i jep faza mbrojtëse, Suedia ka luksin të bëjë llogaritë gjatë 90 minutave ku Polonia dhe Leëandoëski, ashtu si Spanja kanë vetëm një alternativë, fitoren.

21:00 Grupi F:  Gjermani-Hungari (Mynih) dhe Portugali-Francë(Budapest)

Portugali-Francë është padyshim supersfida e grupit F ku të dyja skuadrat kanë në këmbë fatin e tyre. Pas stonaturës hungareze, Gjelat do të përpiqen të largojnë mankthet e atij barazimi surprizues dhe në repertor i kanë të gjtha kategoritë e armëve për t’i bërë keq skuadrës së Fernando Santos e cila rrezikon të largohet në dëshpërim nga ky europian.

 “Puskas Arena” nuk vendos limite në pjesëmarrje ndërsa Portugalia e Franca nuk vendosin limite në opbjektiva. Dy skuadra që e nisën këtë rrugëtim me objektivin trofe dhe emrat që kanë në organikat respektive u japin të drejtë pritshmërive të dy trajnerëve pasi në fushë do të zbresë një pjesë e madhe e vitrinës kontinentale.

4 pikë Franca, 3 Portugalia, po aq sa Gjermania që për momentin ka avantazhin e fitores në ndeshjen direkte por edhe një marshim më të lehtë drejt fazës tjetër pasi pret Hungarinë deri diku modeste dhe të vogël për hijen që bëjnë djemtë e Loeë. Gjermania është ndezur përfundimisht dhe kur pistonat e “Die Manchaft” vihen në punë, është e vështirë të rrëzohen pasi ndeshje si ajo e botërorit ndaj Koresë së Jugut konsiderohen aksidente në historinë e futbollit të pancerave.

3 pikët hipotetike të Gjermanisë do ta bënin interesant skenarin e renditjes përundimtare ku të gjithë kërkojnë të ngjiten në fron por edhe të evitojnë vendin e tretë që do të peshkojë një peshë të rëndë në raundin tjetër.