RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Partizani e meritoi barazimin, Kukësi toleroi, Tirana jo e qetë

  • 27/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Partizani e meritoi barazimin, Kukësi toleroi, Tirana jo e qetë
Shkëlqim Muça në studion e emisionit, “Rubrika Sportive” në RTSH

Gjithçka mund të ndodhë në Superiore, edhe që të gjitha ndeshjet të mbërthehen nën shenjën X. Kjo ka ndodhur pikërisht në javën e tretë dhe Shkëlqim Muça, i përhershmi i emisionit, “Rubrika Sportive” në RTSH ka bërë analizën e tij.

Tolerimi i Kukësit -  “Kukësi bëri një ndeshje të mirë për 60-65 minuta, pastaj toleroi shumë. Laçi e rriti ritmin dhe arriti të barazojë lojën. Trajneri i Kukësit duhet ta kishte nuhatur që pas minutës së 60-të duhet të kishte bërë diçka, të vendosë ekipin më në ekuilibër dhe të marrë tri pikët. Laçi bëri zëvendësime dhe ata që u aktizivuan i dhanë shumë ritëm skuadrës. Trajneri asnjëherë nuk duhet të mendojë ndeshjen të fituar pa u mbyllur 90 minutat. Laçi ka shumë vlera, ka shumë cilësi, por ka pësuar tetë gola, që janë shumë, diçka nuk shkon”.

Barazimi, avantazh për Skënderbeun - “Ishte një ndeshje me një nivel mesatar, por ishin dy skuadra që kërkuan të marrin maksimumin. Ky barazim është një avantazh për skuadrën e Skënderbeut. Në fund, Egnatia kishte mundësinë për ta fituar ndeshjen. Këto skuadra kërkojnë pikë për të mbijetuar”.

Partizani e Vllaznia, barazimi ishte i drejtë - “Ndeshja nuk u ngjit asnjëherë atje ku pritej. Vllaznia në pjesën e parë ishte më e lirshme në veprime, ndërsa Partizani më i ngurtë. Në pjesën e dytë Partizani ndryshoi, ishte më mirë si skuadër, ndërsa Vllaznia bëri shumë gabime. Dalja e Latifit nuk mu duk e goditur. Partizani e meritoi barazimin, sulmoi më shumë. Në tërësinë e vet, barazimi ishte i drejtë. Kritikat e lindura në Shkodër? Kur flet Zmijani, të gjithë mbrojtësit duhet ta dëgjojnë, ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë që ka patur Vllaznia”.

Teuta e Dinamo, një ndeshje mesatare - “Një ndeshje mesatare, Teuta ishte diçka më e kompletuar, ndërsa Dinamo me shumë oshilacione. Duket një skuadër e kolauduar mirë, ka nevojë për kohë, por e denjë për tu përballur me skuadrat e Superiores”.

Tirana humbi dy pikë të rëndësishme - “Kastrioti bëri një ndeshje për të marrë një pikë, u fut për të mos humbur. Kishte një strategji të qartë për të nervozuar kundërshtarin. Ngo doli komplet nga loja dhe nuk e mori veten deri në fund. Tirana gjatë gjithë kohës nuk ishte e qetë. Mendoj se Tirana ka humbur dy pikë të rëndësishme”.