RTSH Sport Live

Andrea Doviciozo ul siparin e karrierës

  • 05/08/2022
  • |
  • Moto GP
Andrea Doviciozo ul siparin e karrierës
Piloti italian: Një vendim i vështirë, por i duhur, sepse kishte ardhur koha

Andrea Doviciozo ka shpjeguar të enjten në mbrëmje vendimin e tij të vështirë për të mbyllur karrierën e tij në Moto GP pas Çmimit të Madh të San Marinos në shtator. Të enjten paradite, në prag të Çmimit të Madh të Britanisë së Madh në Silverstoun, “Jamaha” bëri të ditur se Doviciozo do të tërhiqej nga Moto GP-ja pas 3 garave të ardhshme. Fituesi i 15 garave në Moto GP ka vuajtur mjaft që nga kalimi i tij tek “Jamaha” në fund të vitit të shkuar, pas një shkëputjeje të gjatë pasi e pati mbyllur tek “Ducati” në fund të sezonit të 2020-ës.

Duke qenë se nuk po e shijonte më garimin, Doviciozo mendon se është mirë që ta mbyllë tani dhe t’i jepte lamtumirën e përshtatshme sportit në garën e tij të shtëpisë në Mizano në fillim të shtatorit. “Dua ta falënderoj “Jamaha”-n dhe skuadër, sepse më kanë dhënë një mbështetje të madhe më kanë mirëkuptuar”, - tha ai duke folur nga Silverstouni.

“Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua”, - theksoi 36-vjeçari, duke vijuar: “Unë isha i qetë në bisedën me ta për këtë çështje. Ishte një vendim i vështirë, sepse pas 20 vitesh është gjithmonë e vështirë të marrësh vendime të tilla. Por gjithçka ishte në kohën e duhur për ta marrë një vendim të tillë. Kur je pilot, gjatë provave, gjatë garës dhe nuk je mendërisht aty ku duhet, mendja fillon të punojë për gjëra të tjera dhe aty ti e kupton se është çasti i duhur. Dhe kjo është arsyeja pse e mora këtë vendim.

Nuk është thjesht përqendrimi tek garat, por kur nuk ndjehesh më konkurrues, fillon të mendosh më tepër për këtë dhe pikërisht kjo më ndodhi mua, prandaj e ndjeva që Mizano do të jetë gara e duhur, gara ime e fundit, gara ime e fundit në shtëpi dhe dua ta mbyll me një festë, me buzëqeshje nga të gjithë, nga miqtë e mi dhe me tifozët e mi”, - ka përfunduar Andrea Doviciozo.