RTSH Sport Live

Anullohen garat e motorsportit në Australi

  • 06/07/2021
  • |
  • Moto GP
Anullohen garat e motorsportit në Australi
Për shkak të Covid garat e F1 dhe MotoGP nuk do të bëhen

Bota e motorsportit vjen me lajme të reja mëngjesin e së martës. Për shkak të masava të rrepta anticovid  dhe vështirësive në logjistikë, në marrëveshje me Victoria State Government, Formula 1 dhe Dorna kanë vendosur të fshijnë nga kalendari i 2021, Çmimin e madh të Australisë në të gjitha kategoritë. Kështu F1, nuk do të zbresë këtë vit në Melbourne, ndërsa MotoGP duhet të heqë dorë nga cirkuiti spektakolar i Phillip Island.

Njëvendëshet duhet të garonin në cirkuitin e Melburnit në fundjavën 19-21 nëntor, menjëherë pas Çmimit të madh të Brazilit dhe para atij të Arabisë Saudita. Pas anulimit të Çmimit të Madh të Singaporit , që u zëvendësua menjëherë me atë të Turqisë, për të mbajtur 23 gara në kalendar, tani drejtuesit e F1 janë të detyruar të heqin dorë edhe nga Australia.

Ende nuk dihet se cili do të jetë cirkuiti që do të zëvendësojë atë të Australisë, në mënyrë që të ruhet kalendari me 23 gara i vitit 2021. Një goditje vjen edhe për kampionatin e motorëve. Pasi do të anulohet edhe gara e Phillip Island, një nga më të bukurat e kalendarit. Fundjava në Australi ishte parashikuar për 22-24 tetor nga Dorna, por tani urojnë që të rikthehet në 2022.

Por duket se Dorna e ka gjetur zgjidhjen për t’i zhvilluar të gjitha garat e parashikuara që në fillim të vitit. Çmimi i Madh i Malajzisë në Sepang do të zëvendësojë atë të Phillip Island. Kështu gjithë logjistika menjëherë transferohet nga Tajlanda, gara e së cilës është në 15-17 tetor. Ndërsa në fundjavën e 5-7 nëntorit, zhvillohet gara në Portimao, Çmimi i Madh i Algarve.