RTSH Sport Live

Bajern-Barcelona, në RTSH

  • 08/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
Bajern-Barcelona, në RTSH
Barcelona shpreson te suksesi në Bavari, sfidë direkte në Bergamo

UEFA Champions League mbyll fazën e grupeve me sfidat finale ku do të vendoset edhe fati i pjesës më të madhe të skuadrave në garë mes vazhdimësisë për në fazën tjetër dhe ekipeve që synojnë një biletë për të vazhduar rrugëtimin europian në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm, Europa League. Dueli më i fortë në letër, ai mes Bayern Munchen tashmë me sigurinë e vendit të parë në grup dhe Barcelonës që kërkon me çdo kusht një fitore për të qëndruar në garë, do të transmetohet në RTSH, që ka përzgjedhur pikërisht këtë sfidë për të mbyllur fazën e grupeve.

Në “Allianz Arena” pa praninë e tifozëve për shkak të rikthimit të masave shtrënguese anti-Covid, katalanasit duhet të shfrytëzojnë faktin që gjermanët janë të pamotivuar dhe rotacionin e pjessshëm të Nagelsmann. Me 7 pikë, skuara spanjolle mban vendin e  dytë në grup por një barazim apo humbje e mundshme e kombinuar me fitoren e Benficës ndaj Dinamos së Kievit, i katapulton në vendin e tretë të besuarit e Xavit dhe në këtë mënyrë, pas shumë vitesh Barcelona do të rikthehej të luante në një kompeticion aspak normal për përmasat e këtij klubi.

Në Grupin F, Atalanta – Villarreal është kryesfida e së mërkurës pasi bëhet fjalë për një duel të drejtëpëdrejtë. Bergamaskët me 6 pikë, 1 më pak se Villarreal kanë vetëm një opsion, fitoren ndërsa Manchester United tashmë me sigurinë e biletës së fazës tjetër, pret në “Old Trafford”, Young Boys. E komplikuar është situata edhe në Grupin G ku Salzburg sfidon Sevillan në Austri. “Demat” që momentalisht mbajne vendin e dytë në grup, mund të humbasin biletën e raundit tjetër në rast të një disfate ndërsa në krahun tjetër, andaluzianët kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kaluar fazën.

Nuk është vendosur asgjë as për dy skuadrat e tjera Volfsburg dhe Lille,  respektivisht e fundit dhe e para e grupit të ndara nga 3 pikë diferencë. Në Grupin H, llogaritë janë të bëra dhe mbetet shumë pak për t’u vendosur mes Chelseat kryesues dhe Juventusit që shpreson në një hap fals të londinezëve në transfertën ruse të Zenitit për të tentuar rikthimin në krye pasi në letër italianët kanë një sfidë më të lehtë, atë ndaj Malmos.