Një ndeshje e bukur, me ritëm dhe gola është zhvilluar në “Air Albania” mes Tiranës dhe Erzenit, por nuk ka fitues në përfundim të 90 minutave. Mbyllet në barazim 1-1 sfida dhe dyja skuadrat detyrohen që të ndajnë nga një pikë.
Nuk ka gola në 45 minutat e para, me dy portierët që janë protagonistë me pritjet e tyre. Shijakasit kalojnë në avantazh në pjesën e dytë me Zekën, që shënon një gol shumë të bukur. Por bardheblutë kundërpërgjigjen menjëherë me Abazajn, që rikthen shifrat në ekuilibër.
Bejzade ndal Tiranën në debutimin e tij në krye të skuadrës së Erzenit. Bardheblutë marrin një pikë dhe tashmë rrezikojnë “Final 4”, pasi mund të arrihen në renditje nga Dinamo, nëse blutë fitojnë ndeshjen e prapambetur. Ndërsa Erzeni merr një pikë shprese dhe tregon se i ka të gjitha mundësitë që të qëndrojë mes më të mirave të futbollit shqiptar.