RTSH Sport Live

Bledi Shkëmbi, trajneri i ri i Dinamos

  • 16/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Bledi Shkëmbi, trajneri i ri i Dinamos
Prezantimi i teknikut të ri të bluve bëhet të enjten në mesditë tanimë për objektiva madhor

Bledi Shkëmbi është trajneri i ri i Dinamos në Kategorinë Superiore për sezonin 2021-2022. Të paktën sipas njoftimit të klubit blu, që pas nëntë vitesh ka ardhur në elitën e futbollit shqiptar, Shkëmbi ka marrë besimin e presidentit Adrian Bardhi, kjo për zbatimin e projektit të rikthimit të Dinamos në majat e futbollit shqiptar.

Më parë Shkëmbi ka drejtuar Ilirinë e Prizrenit, Teutën dhe në fund Ballkanin në Kosovë. Prezantimi i trajnerit të ri dinamovit do të bëhet të enjten në ora 11:00 në ambientet e Vila “Paskuçi” në Durrës, kurse kështu merr udhë Dinamo e re e Kategorisë Superiore, atje ku të gjithë presin rikthimin e trofeve.

Dinamo është 18 herë kampione e Shqipërisë, 15 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, si dhe dy herë fituese e Superkupës së Shqipërisë, pa harruar trofe të tjerë, ndërsa me shumë nivel ka prezantuar futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Njoftimi i klubit:

Dinamo zyrtarizon trajnerin e ri, Bledi Shkëmbi
Bledi Shkëmbi është trajneri i ri i Dinamos. 41-vjeçari ka marrë besimin e presidentit Adrian Bardhi për zbatimin e projektit madhor për rikthimin e Dinamos në nivelet e duhura.
Ish-trajneri Ilirisë së Prizrenit dhe Ballkanit në Kosovë dhe Teutës në Shqipëri, do të prezantohet ditën e Enjte në orën 11:00 në ambjentet e Vila Pascucci!