RTSH Sport Live

Botërori i Klubeve po kërkon shtëpi

  • 22/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Botërori i Klubeve po kërkon shtëpi
Pas tërheqjes së Japonisë, Rio mbetet një alternativë për të rganizuar evenimentin

Qyteti i Rio de Janeiro dëshiron të organizojë Kupën e Botës për Klube 2021, pas dorëheqjes së Japonisë e cila ishte menduar ta priste në dhjetor. Kjo u njoftua nga kryetari i metropolit brazilian, Eduardo Paes. "Ne po punojmë për këtë. Është shpresa e Rio -s, duke qenë se Japonia ka hequr dorë do të ishte shumë interesante për ta pritur", deklaroi ai në rrjetet sociale.

Kryebashkiaku tha se administrata e tij tashmë kishte kontaktuar me Shoqatën e Futbollit Brazilian dhe "drejtuesit e tjerë" në mënyrë që Rio të mirëpresë këtë garë. "Ka kontakte me FIFA -n. Nuk është e lehtë sepse duket se ka vullnet për të organizuar këtë garë në Azi", shtoi ai.

Japonia ka hequr dorë nga mbajtja e Kupës së Botës për Klube 2021 më 9 shtator, për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë. FIFA ende nuk ka marrë një vendim dhe nuk përjashtohet që konkursi të shtyhet për në vitin 2022. Rio e ka organizuar këtë eveniment edhe më parë, pikërisht në vitin 2000.