RTSH Sport Live

Brdariç-Vllaznia, rinovim i mbetur në tentativë?

  • 08/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Brdariç-Vllaznia, rinovim i mbetur në tentativë?
Klubi konfirmon akordin për një kontratë njëvjeçare, trajneri kërkon të bëhet durim

Tomas Brdariç do të vazhdojë të jetë trajneri i Vllaznisë edhe për sezonin e ardhshëm. Ky është rezultati i bisedimeve midis trajnerit gjerman dhe drejtuesve të klubit shkodran, që janë mbyllur të hënën në mbrëmje. Ndonëse ishte folur se do të kishte një tjetër takim të martën në mëngjes, për të sheshuar një apo dy pika në bashkëpunimin midis palëve, kjo nuk ka ndodhur, sepse 46-vjeçari ka udhëtuar herët drejt Gjermanisë.

Duhet theksuar se, që nga gushti i vitit të shkuar, kur zbarkoi në Shkodër, edhe për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, trajneri nuk është kthyer asnjëherë në Gjermani, madje nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. Por burime zyrtare pranë klubit shkodran kanë konfirmuar posaçërisht për RTSH Sport se palët e kanë gjetur mirëkuptimin për një bashkëpunim një-vjeçar, që pritet të zyrtarizohet të shtunën, kur edhe Brdariç të kthehet në Shkodër.

Burimet në fjalë nuk kanë pranuar të bëjnë të ditur një shifër për vlerën e kësaj kontrate njëvjeçare, por, duke qenë se në media është përfolur për një ofertë konkrete për trajnerin nga klubi i Ballkanit në Kosovë në kufinjtë e 100,000 Eurove, besohet që edhe në rastin e Vllaznisë, të jetë një vlerë e përafërt.

Gjermani ka këmbëngulur se, në rastin e Vllaznisë, nuk bëhet fjalë për para në këto negociata, duke e vënë theksin tek nevoja për një infrastrukturë e përshtatshme për stërvitje dhe kushtet e tjera të domosdoshme, sidomos në dritën e pjesëmarrjes së kuqebluve në Kupat e Evropës.

Por, njeriu që e çoi Vllazninë drejt vendit të dytë, më pak se 10 muaj pasi kuqeblutë luftonin për mbijestën në Superiore, duke e humbur titullin “kampion” vetëm për diferencë golash, por duke u sjellë sidoqoftë shkodranëve një trofe pas 13 vitesh, atë të Kupës së Shqipërisë, sigurisht që pret një kontratë më të mirë sesa sezonin e shkuar.

Ndërkaq, në një komunikim të shkurtër elektronik, vetë trajneri ka sqaruar posaçërisht për RTSH Sport se duhet bërë durim sa i përket çështjes së rinovimit, duke kërkuar në këtë mënyrë më tepër kohë. Kështu, tifozëve shkodranë u duhet të presin deri të shtunën për të mësuar nëse ish-lojtari i përfaqësueses së Gjermanisë do të vazhdojë të jetë në krye të stolit të Vllaznisë edhe për një sezon tjetër.