RTSH Sport Live

Chelsea në kaos, Auba tërbohet për përjashtimin nga Champions-i, Boehly u shkon lojtarëve në dhomat e zhveshjes

  • 04/02/2023
  • |
  • Angli
Chelsea në kaos, Auba tërbohet për përjashtimin nga Champions-i, Boehly u shkon lojtarëve në dhomat e zhveshjes
Presidenti i Chelsea duke shkuar në dhomat e zhveshjes në "Stamford Bridge"

Ishte njëra prej skuadrave që ka shpenzuar më shumë euro gjatë merkatos dimërore, por ky fakt nuk ka mjaftuar që të rikthejë harmoninë në grup dhe tri pikët në fushë. Skuadra e Chelsea-t po kalon një nga momentet më delikate pasi përveç grindjeve mes stafit teknik dhe lojtarëve mungojnë edhe përgjigjet e këtyre të fundit në fushë.

Përjashtimi – Ditën e djeshme, pak orë para derbit me Fulham-in, ka qenë debati mes Graham Potter dhe Pierre-Emerick Aubameyang ai që mori vëmendjen e publikut. Trajneri vendosi që të linte jashtë listës Champions sulmuesin duke irrituar tej mase këtë të fundit. Forma e Aubas në “Stamford Bridge” këtë sezon nuk ka qenë e mirë pasi në 17 paraqitje ka shënuar vetëm 3 gola. Mësohet se sulmuesi i ka kërkuar arsyen e përjashtimit Graham Potter-it. Ky i fundit ka lënë të kuptohet se vendimi që mori ka lidhje me momemtin e keq të sulmuesit dhe se e ardhmja e lojtarit në Londër nuk është në rrezik.

Në dhomat e zhveshjes – Dje në mbrëmje protagonist kryesor, i ndeshjes ku Chelsea nuk mori më shumë se një pikë në derbin me Fulham, ishte presidenti i klubit. Todd Boehly u pa teksa shkoi i inatosur në dhomat e zhveshjes të lojtarëve. Këtë gjest e komentoi edhe Gary Neville, i cili shpjegoi se gjithçka vjen për faktin se në ditët e fundit skuadra nga “Stamford Bridge” është përfolur vetëm për shifrat e çmendura të hedhura në merkato dhe jo për rrezultatet në fushë.