RTSH Sport Live

Collella për mediat italiane: Partizani, si Juve, Milani apo Interi

  • 25/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Collella për mediat italiane: Partizani, si Juve, Milani apo Interi
Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka dhënë një intervistë për mediat italiane

Gjithçka filloi një mbrëmje gushti. “Më thirrën në mesnatë duke më ofruar stolin dhe të nesërmen isha këtu”. Giovanni Colella, 56 vjeç, flet nga Tirana, ku drejton Partizanin, i pari me pikë të barabarta me Tiranën, klubi tjetër historik në kryeqytet. Colella, i cili krenohet me një karrierë në Serinë C, me eksperiencë të konsiderueshme Vicenza, Siena dhe Como, ka punuar edhe më parë në Shqipëri, te Apolonia e Fierit, një histori që nuk zgjati shumë dhe përfundoi me ardhjen e pandemisë: “Realiteti është se kam mësuar shumë nga ajo përvojë. Disa gabime nuk i kam përsëritur dhe nuk do t'i përsëris”.

Për shembull?

“Kur shkon në një mjedis të ri apo të ndryshëm, duhet të respektosh gjërat që janë aty”

A ju ka kërkuar Partizani për të fituar kampionatin?

“Partizani është si Juve, Milan apo Inter. Nëse pranoni ta stërvitni, duhet ta dini se ky është qëllimi”.

Po, por nuk është se suksesi i fundit është kaq afër.

“Hera e fundit ka qenë në vitin 2018/19. Megjithatë, ne përpiqemi dhe besojmë në të edhe nëse është ende shumë e gjatë. Tirana është një kundërshtar historik dhe pas nesh ka ‘outsider’ që janë shumë të fortë. Flas për Erzenin, Vllazninë dhe Egnatian”.

Si është i strukturuar niveli më i lartë i kampionatit në Shqipëri?

“Seria A quhet Kategoria Superiore dhe në të marrin pjesë dhjetë skuadra. Është në katër faza: ne rikthehemi dy herë. I klasifikuari i parë merr pjesë në paraeliminatoret e Ligës së Kampionëve, i dyti në atë të Europa League dhe i treti në ato të Konferencës”.

Këtë herë ju u katapultuat papritur.

“Po, sepse pas eksperiencës së parë e kisha qetësuar shpirtin. Ne ishim tashmë në mes të verës dhe po mendoja të kaloja gjashtë apo shtatë muaj i papunë, ndoshta do të shihja disa ndeshje në Itali. Në vend të kësaj, pa asnjë paralajmërim erdhi thirrja”.

Dhe kush ishte?

“Elton Marini, drejtor i Partizanit, një person me shumë kulturë dhe kompetencë. Ai ishte edhe futbollisti im dhe njiheshim prej disa kohësh, e kisha parë në Belluno së fundmi, por nuk kishim thënë asgjë të veçantë”.

Çfarë kishte ndodhur për të marrë një vendim kaq të papritur?

“Atë mbrëmje Partizani ishte eliminuar nga Liga e Konferencës dhe në fund të lojës kishin vendosur të shkarkonin trajnerin”.

Çfarë ekip ju ka besuar Marini?

“Një ekip të mirë, sidomos nga pikëpamja teknike. Kam shumë lojtarë të rinj, kapiteni për shembull është i lindur në vitin 1996. Është një grup që duhet të rafinohet, por ne mund të punojmë mirë”.

E ritheksuat se jeni në krye me pikë të barabarta me Tiranën, si është trendi i rezultateve?

“Ose fitojmë ose humbasim. Kemi barazuar vetëm një herë. Kjo për faktin se në shtëpi apo jashtë synimi ynë i parë është të marrim tri pikë”.

Me çfarë futbolli është i krahasueshëm ai në Kategorinë Superiore?

"Unë do të thoja se jemi në nivelin e një Serie C të mirë dhe, në disa raste, edhe të një Serie B mesatare. Baza teknike është e lartë, ka punë për të bërë nga pikëpamja taktike dhe mentaliteti".

A vlen kjo edhe për stadiumet dhe strukturat?

“Jo, në ato Shqipëria është përpara. Shumica dërrmuese e skuadrave në ligën më të lartë janë shumë më mirë të organizuara sesa Seria C italiane”.

Nje shembull?

“Partizani, stadiumi është i ri dhe ne kemi një qendër sportive moderne. Nuk e di sa mund ta përballojnë në Itali edhe në Serinë B”.

E dini që kohët e fundit në Shqipëri kanë stërvitur edhe italianë të tjerë: Agostinelli, Sormani, Lerda. Dëshironi të jeni i pari që do të fitojë titullin?

“Unë shpesh them me vete: pse jo? Ne e dimë se duhet të përpiqemi”.

Pavarësisht rezultatit përfundimtar, a është ideja për të qëndruar në Tiranë edhe vitin e ardhshëm?

“Këtu ndihem shumë rehat, kam një kklub që më mundëson gjithçka që kërkoj, profesionalizmi është i lartë, marrëdhëniet me presidentin janë shumë të përzemërta. Të shohim si do të shkojë, nuk përjashtoj asgjë”.

Pra, as nuk e përjashtoni që kjo të jetë një pikë kthese në karrierën tuaj?

“Unë e jetoj si të tillë. Ka disa kthesa në jetë. Shpresoj që kjo të jetë e duhura”.