RTSH Sport Live

Ducati, në kërkim të titullit për pilotë

  • 20/09/2022
  • |
  • Moto GP
Ducati, në kërkim të titullit për pilotë
5 gara nga fundi i Botërorit, Bagnaia është 10 pikë larg Quartararos

MotoGP rikthehet sërish në pistë këtë fundjavë. Pikërisht në Motegi për Çmimin e Madh të Japonisë, gara e pestë nga fundi i Kampionatit Botëror 2022. Pas fitimit të titullit kampion bote për konstruktorë, nga ana e Ducatit, siguruar në përfundim të garës në Aragon, fabrika e Borgo Panigales dëshiron t'i rikthehet edhe fitimit të titullit për pilotë, 15 vjet pas triumfit të Casey Stoner në kampionatin botëror.

Bagnaia, protagonist i një rikthimi të fuqishëm në pesë garat e fundit, kundrejt liderit të renditjes Quartararos, tani ka një diferencë prej vetëm 10 pikësh me francezin. Për të mos nënvlerësuar Aleix Espargaró në Aprilia dhe Enea Bastianini, përkatësisht 17 dhe 48 pikë larg pilotit të Yamahas. Për të gjithë ka një kuriozitet të madh për të riparë Marc Marquez, i cili në qarkun japonez ka fituar tre herë.

Piloti nga Cervera, i cili u kthye në Aragon pas gati 4 muajsh ndalesë, nuk arriti të garojë në Spanjë pas aksidenteve me Quartararon dhe Nakagamin. Japonia do të jetë një provë për të testuar kushtet e krahut të tij të djathtë, pas operacionit të katërt.