Kategoria e Parë ka ulur siparin e gjysmës së parë të kampionatit, teksa rikthehet në fushën e lojës më 20 janar. Në fakt është mbyllur me një kryesfidë si ajo e prapambetur e javës së njëmbëdhjetë, Elbasani – Bylis, që është fiksuar në barazim, 2-2. Një stadium i mbushur plot, si rrallëherë në Kategorinë e Parë, teksa ishin të pranishëm 7000 spektatorë, ndërsa të dyja skuadrat dhanë spektakël në fushë. Greca shënoi fillimisht për verdheblutë. Por në pjesën e dytë përmbysën Kibe dhe Kamara e në fund për vendeësit barazoi Telushi.
Për momentin, pas gjashtëmbëdhjetë javësh, kryesor në renditje Bylis me 39 pikë, ndërsa Elbasani gjendet në vendin e dytë me 36 pikë. E duket se do të jenë këto dy skuadra, të cilat do të diskutojnë jo vetëm titullin kampion të Kategorisë së Parë, por së bashku do të mund të kthehen dhe në Superiore. Një varg i gjatë skuadrash që ndjekin, që në fakt janë të ndara mes tyre, ndërsa Kategorinë e Parë në renditje e mbyll Tomori me 10 pikë.
Të gjitha skuadrat do të hynë në merkato, kurse më 20 janar Elbasani do të presë Korabin. Një supersfidë mund të cilësohet Apolonia – Flamurtari. E më pas në kalendar janë Besa – Burreli, Kastrioti – Bylis, Lushnja – Tomori, Vora – Luzi 2008. Përgjithësisht një kampionat rivalizues.