RTSH Sport Live

Eriksen reagoi menjëherë pas “zgjimit”

  • 17/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Eriksen reagoi menjëherë pas “zgjimit”
Mjeku: Në të tilla raste, mundësia për sukses është e vogël

“U riktheva me ju”. Ishin këto fjalët e para të Christian Eriksen menjëherë pasi u përmend në fushën e lojës. Është mjeku Jens Kleinefeld që rrëfen për mediat gjermane momentet e para pas rikthimit në jetë të mesfushorit të Danimarkës. “U riktheve mes nesh? E pyeti ai menjëherë sapo hapi sytë pas arrestit kardiak, po u ritheva me ju. Ta hajë dreqi, jam vetëm 29 vjec”, iu përgjigj menjëherë numri 10.

 Frymëmarrje e thellë për mjekun e skuadrës daneze në ato momente, pasi një përgjigje e tillë konfirmonte edhe faktin që lojtari nuk kishte pësuar dëme në tru për shkak të mungesës së oksigjenit për disa sekonda. Jens Kleinefeld shton më tej se defribilatori u përdor disa caste pas aplikimit të masazhit kardiak.

“Bëmë 3 manovra vendimtare për ta kthyer në jetë dhe ai u përmend 30 sekonda pasi përdorëm pajisjen me rrymë të lartë. Ishte një moment prekës sepse në situate të tilla të përditshmërisë, mundësitë për të pasur sukses janë shumë të ulëta. Ky trajtim që aplikuam ne në rastin e tij, funksionon kryesisht ndaj atletëve, por është shumë e vështirë të ketë sukses tek njerëzit me probleme shëndetësore”, thekson mjeku që vazhdon rrëfimin duke pohuar se më pas mesfushori ka qëndruar zgjuar dhe ishte i vetëdijshëm, ndërsa në spital u qetësua dhe u bë më i vetëdijshëm për gjendjen e tij shëndetësore. “Isha 99 % i sigurt që do të mbërrinte në spital në gjendje të qëndrueshme”, shton në fund Kleinefeld.