RTSH Sport Live

Erzeni mposht Egnatian, ëndërron Europën

  • 10/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Erzeni mposht Egnatian, ëndërron Europën
Shijakasit kanë arritur të marrin një fitore 2-1 përballë rrogozhinasve

Erzeni ka arritur të rrëmbejë një fitore mjaft të rëndësishme në javën e 25-të të Superiores duke mundur Egnatian me rezultatin 2-1 në sfidën e luajtur në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”. Një 90 minutësh mjaft emocionues, ku gjithçka është vendosur në pjesën e parë, por rastet për shënim nuk kanë munguar gjatë gjithë lojës.

Një ndeshje që nisi më kërkuese për skuadrën e Egnatias, por që me kalimin e minutave shijakasit arritën të përmbysin situatën. Pasi ishte luajtur gjysmë ore lojë, shijakasit pretenduan për një 11-metërsh, Zejnullai ndërhyri në dëm të Ademit. Me ndërhyrjen e VAR është 11-metërsh për Erzenin dhe Kahrimanovic 33’ tregohet i saktë nga pika e bardhë, 1-0.

Nuk kalojnë as pesë minuta dhe Nonato, duke përfituar dhe nga një pasiguri e portierit Sherri, arrin të dyfishojë rezultatin. Egnatia arrin të shkurtojë diferencën në fundin e pjesës së parë me golin e Duamena, 2-1.

E njëjta pamje, i njëjti ritëm dhe në pjesën e dytë me mundësi të shumta për të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Fitore e rëndësishme për Erzenin, që ngjitet në kuotën e 36 pikëvem vetëm 4 pikë larg vendit të parë, është në lojë për Kupat e Europës. Rrogozhinasit nga ana e tyre ndalen në kuotën e 37 pikëve, një goditje për pretendimet e tyre.