RTSH Sport Live

Europool dhe siguria në Euro 2020

  • 11/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Europool dhe siguria në Euro 2020
Dhoma e kontrollit në Hagë do të monitorojë lëvizjet e huliganëve

Policia europiane së bashku me Europool kanë krijuar një qendër të operacioneve të zbatimit të ligjit për kampionatin UEFA Euro 2020, duke u fokusuar te huliganët. Por në mes të një situate të ndërlikuar nga pandemia Covid-19, ata presin më pak tifozë dhe huliganë në ndeshjet e futbollit. Oficerët nga secili prej 24 kombeve që do të luajnë në turneun europian, i cili do të zhvillohet në 10 shtete do të monitorojnë çdo situatë që kërcënon mbarëvajtjen e ndeshjeve, nga dhoma e kontrollit në agjencinë policore të BE Europol në Hagë.

Catherine De Bolle, Drejtore Ekzekutive e Europol, shpjegon se Euro 2020 është një veprimtari tepër e veçantë që do të kërkojë një monitorim tepër të kujdesshëm nga ana jonë. "Kampionati aktual i Euro 2020 është i një kompleksiteti të paparë – tha ajo. – Për herë të parë kjo veprimtari do të zhvillohet në 10 vende të ndryshme në vend të një ose dy siç kishim parë në edicionet e kaluara.

Mbi të gjitha që është ngjarja e parë kontinentale në shkallë të gjerë e organizuar gjatë pandemisë Covid-19 lidhur me sportet. Dhe e gjithë kjo natyrisht paraqet sfida të rëndësishme dhe të reja përsa i përket sigurisë dhe mbarëvajtjes së ndeshjeve". Situata gjatë ditëve të evropianit do të jetë tepër e vështirë për t’u mbajtur nën kontroll. I këtij mendimi është edhe Max Daniel, Shefi i Shtabit, Qendra Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Policor.

"Aspekti më sfidues i këtij turneu është lëvizja e tifozëve nga njëri shtet në tjetrin – tha ai. – Më parë ata lëviznin në drejtim të vetëm një shteti, ndërsa tani i duhet të lëvizin në disa vende të Evropës. Ndaj do të jetë e vështirë për Qendrën tonë t’i monitorojmë, sidomos ata që do të udhëtojnë me makinat e tyre personale”.

Kësaj i shtohen edhe rregullat e rrepta të sigurisë ndaj Covid-19. Por duke parë edhe numrin e reduktuar të tifozëve në stadium, për Europol do të jetë disi më e lehtë të kontrollojë lëvizjen dhe identifikimin e huliganëve.