RTSH Sport Live

Fizioterapistët e rinj, nis kursi në FSHF

  • 24/01/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Fizioterapistët e rinj, nis kursi në FSHF
Gianluca Stesina dhe Ilvi Begolli janë drejtuesit e rritjes profesionaleve të mjekëve sportivë

Ka nisur kursi i radhës për formimin e fizioterapistëve, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit e që drejtohet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF. Kursi të jetë i ndarë në disa periudha për t’u përmbyllur me provimet finale në muajin korrik 2023, teksa në këtë pjesë të parë do të diskutohet për trajtimin e dëmtimit të gjurit te sportistët. Lektorët kryesorë do të jenë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, teksa do të ketë edhe lektorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë. Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Gianluca Stesina, vlerëson këtë iniciativë, teksa shpjegon edhe proceset dhe qëllimet e këtij kursi që synon të përgatisë fizioterapistët me metologjitë më të reja për një rikuperim të shpejtë të futbollistëve.

 “Pas suksesit të vitit të kaluar, ku kishim më shumë se 30 pjesëmarrës, për të përmirësuar cilësinë e fizioterapisë sportive në Shqipëri edhe këtë vit FSHF vendosi të krijonte një kurs të ri dedikuar të gjithë fizioterapistëve të rinj, të cilët punojnë në botën e sportit. I jemi mbi të gjitha mirënjohës FSHF-së që organizoi këtë kurs, kemi 25 pjesëmarrës të regjistruar dhe sot kemi nisur leksionet me procesin e rehabilitimit të gjurit, ku do të ilustrojmë unë, Ilvi, i cili është fizioterapisti i Kombëtares dhe specialistët e jashtëm që vijnë nga bota mjekësore shqiptare, italiane e ndërkombëtare, principet e mjekësisë sportive”, ka thënë Stesina.

Stesina thekson se po punohet për të përhapur akoma më shumë Kulturën e mjekësisë sportive në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, për të afruar më shumë fizioterapistë të rinj, si në stafet e ekipeve kombëtare të moshave, ashtu dhe në botën e futbollit.

 “Kursi ka lindur nga ideja për të përhapur më shumë kulturën e mjekësisë sportive në futbollin shqiptar. Ne po kërkojmë fizioterapistë të rinj, doktorë të rinj, që të mund të rriten bashkë me ne dhe me FSHF-në në mënyrë që në të ardhmen të bëhen pjesë e stafeve mjekësorë në të gjitha ekipet kombëtare të moshave”, përfundoi Stesina.