RTSH Sport Live

Flamurtari gjen fitoren e munguar

  • 04/02/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Flamurtari gjen fitoren e munguar
Vlonjatët mundin Luzi 2008, 2-0, të dielën në RTSH Sport, Tomori – Besa

Java e katërmbëdhjetë e Kategorisë së Parë ka nisur me fitoren e Flamurtarit në transfertë 2-0 ndaj Luzit 2008 në Peqin. Nga një gol për çdo pjesë loje për vlonjatët e Marselo Troisit, ndërsa kështu kanë marrë tre pikë të rëndësishme, të cilat i afrojnë me kreun e renditjes. Më saktë Flamurtarit e sheh veten për momentin, teksa do të luhen ndeshjet e tjera të dielën e të hënën, në vendin e dytë me 25 pikë. Ka shënuar Erik Flores në të 35’ dhe Luizinjo në të 88’.

Ndërkohë sfida që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar është Tomori – Besa. Beratasit janë të plotë, madje janë të gatshëm dhe të aktivizojnë dy blerjet e reja, portugezin Felipe dhe brazilianin Kaina. Tomori vjen nga fitorja 2-0 me Turbinën në shtëpi dhe si rrjedhojë kërkon një tjetër sukses ndaj Besës, e cila nga ana e saj ka nevojë për fitore. Megjithatë, edhe për shkak të miqësisë që kanë drejtuesit me njëri-tjetrin, atëherë të dy kanë pranuar se do të ketë një gjykim perfekt dhe në fushën e lojës të fitojë më i miri. E në këtë mënyrë, Kategoria e Parë do të vijojë të sjellë të tjera emocione.