RTSH Sport Live

Italia “braziliane”, katër  lojtarë në “lupë”

  • 24/11/2021
  • |
  • Futboll Bota
Italia “braziliane”, katër  lojtarë në “lupë”
Luis Felipe dhe Joao Pedro pranë kampionëve të Europës

Jo vetëm Joao Pedro, në radarin e Federatës Italiane të Futbollit janë edhe dy brazilianë me pasaportë italiane. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Atalantës, Toloi dhe atë të Lazios, Luis Felipe. Të dy janë me origjinë italiane por shumë të vlefshëm për të ardhmen e të kaltërve me probleme të mëdha edhe në fazën mbrojtëse. Jashtë vëmendjes së Mancinit nuk ngelet as mbrojtësi i Romës, Ibanez, i cili ka shprehur dëshirën për të mbrojtur ngjyrat e flamurit të Kombëtares kampione të Europës.

Momentalisht, avokatët e federatës italiane janë vënë në lëvizje për të rregulluar letrat pasi të tre lojtarët në fjalë janë të lirë të luajnë me Italinë pasi nuk kanë regjistruar ende asnjë ndeshje zyrtare me skuadrën e parë të Brazilit. Në rastin e lacialit, Luis Felipe, situate është më pak e komplikuar pasi në vitin 2019 ai është aktivizuar në disa ndeshje nga trajneri i U-21, Di Biagio.

“Fakti që duhet të pres një ftesë të Brazilit nuk më qetëson”, është shprehur lojtari bardhekaltër, duke i hapur derën një ftese të mundshme nga ana e Mancinit që tashmë ka në grup dy titullarë të palëvizshëm me origjinë braziliane si Jorginho e Emerson. Eshtë pikërisht heshtja e trajnerit Brazilian, Tite që po i shtyn lojtarët drejt fanellës së kaltër, madje Luiz Felipe dhe  sulmuesi i Cagliarit, Joao Pedro mund ta finalizojnë rrugëtimin e tyre drejt Italisë që në muajin mars për ndeshjet play off të Kupës së Botës.