RTSH Sport Live

Kategoria e Parë mbyll sezonin e rregullt

  • 18/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë mbyll sezonin e rregullt
Skënderbeu shpallet “kampion”, finalizohen betejat e “Play-off”-it dhe “Play-out”-it

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ulur të mërkurën siparin e sezonit të tij të rregullt, teksa janë luajtur të mërkurën pasdite të 6 takimet e javës së 26-të. Në takimin më të spikatur të luajtur pasdite dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, Lushnja ka pritur në Stadiumin “Roza Haxhiu” Skënderbeun.

Në fakt, ndeshja ka patur vlerë formale, pasi skuadra korçare, së bashku me Dinamon, e kishte siguruar më herët ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm dhe luftohej vetëm për titullin “simbolik të kampiones së Kategorisë së Parë. Dhe kjo ndeshje është mbyllur me rrjeta të paprekura, duke kurorëzuar Skënderbeun si “kampione” të Kategorisë së Parë për këtë edicion, teksa e mbyll në kuotën e 49 pikëve. Ndërkaq, në takimet e tjera, Dinamo është mundur minimalisht në fushën e Luzit 2008, por e mbyll në vendin e dytë me dy pikë më pak, ndërsa vendasit nuk e sigurojnë dot zonën e “Play-off”-it.

Atë e ka siguruar Flamurtari, që me fitoren 3-1 ndaj Apolonisë, ruajti vendin e 3-të, ndërsa fierakët mbeten në vend të 6-të dhe do të përballen në “play-off” pikërisht me vlonjatet. Tomori ka mundur 3-1 Turbinën në Cërrik, duke siguruar vendin e 4-t dhe do të ndeshet me Korabin, që e ka fituar në tavolinë duelin me Besëlidhjen, që nuk është paraqitur fare të mërkurën në Peshkopi.

Pavarsisht fitores 3-0 ndaj Burrelit në Berat, kavajasit nuk e sigurojnë vendin në “play-off”, ndërsa matjanët dhe Lushnja detyrohen të vazhdojnë betejën e mbijetesës në “play-out”. Oriku, Turbina dhe Besëlidhja i bashkohen Tërbunit të përjashtuar si 4 skuadrat që bien nga Kategoria e Parë dhe sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Dytë.