RTSH Sport Live

Kategoria e Parë zbret në fushë, Besa-Tomori në RTSH

  • 03/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë zbret në fushë, Besa-Tomori në RTSH
14 skuadrat kanë bërë lëvizje në lojtarë dhe trajnerë, të gjithë duan rezultatet pozitive

Java e parë e Kategorisë së Parë sjell çifte interesante. Kështu mund të konsiderohet dueli mes Flamurtarit e Luzi 2008, dy skuadrat që vijnë nga Kategoria e Dytë si fituese të grupeve A dhe B, ndërsa tashmë janë të tjera llogari, sepse kuqezinjtë duan ta nisin garën me një objektiv ndryshe.

Madje java e parë e Kategorisë së Parë sjell dhe një tjetër duel të përsëritur, që është Korabi – Apolonia, që në Durrës luajtën për një vend në Superiore pas së cilës dibranët nuk mundën të përballonin Egnatian, që mbijetoi në elitën e futbollit shqiptar.

Ndërkohë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, gjithnjë në kuadrin e javës së parë të Kategorisë së Parë, do të vijë ndeshja Besa – Tomori, e cila të shtunën në ora 15:00 do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Peqinit.

Shumë interesante mund të konsiderohet dueli mes Tërbunit dhe Skënderbeut. Po kështu dhe Turbina e Besëlidhja, apo dhe të dielën Dinamo – Oriku. Ndërkohë ishte parashikuar në kalendar dhe Lushnja – Burreli, por u shty për një datë të pacaktuar.

Shumë lëvizje futbollistësh në të gjitha skuadra, por për më tepër edhe trajnerësh. Emra të tillë si Nevil Dede te Dinamo, Migen Memelli te Skënderbeu, Klodian Duro tek Lushnja, Gugash Magani tek Besa, Shpendi Kumbarçe tek Korabi, Klevis Dalipi tek Apolonia, Alban Bruka tek Besëlidhja, Alert Alcani tek Tërbuni etj e bëjnë interesante këtë garë, atje ku dy të parat ngjiten në Superiore, ndërsa më pas luhet play-off me skemën 3-6 dhe 4-5, teksa fituesja luan me të tetën e elitës së futbollit shqiptar për një vend mes më të mirëve të topkëmbës shqiptare. Bylis ishte kampione e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar. 

 

E SHTUNË 3 SHTATOR 2022

Flamurtari – Luzi 2008                   ora 15:00

Turbina – Besëlidhja              ora 15:00

Besa – Tomori                        ora 15:00

Lushnja – Burreli                    e shtyrë

Tërbuni – Skënderbeu           ora 15:00

Korabi – Apolonia                           ora 15:00

 

E DIEL 4 SHTATOR 2022

Dinamo – Oriku                     ora 15:00