RTSH Sport Live

Kukësi me sinjal parakalimi, "shpërbëhet" Vllaznia

  • 24/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi me sinjal parakalimi, "shpërbëhet" Vllaznia
Longo imponohet me dy gola kundër shkodranëve të Brdaric e është i pari

Në një ndeshje direkte llogaria e vetme që bëhet janë pikët e marra e Kukësi i Longos, në këtë këndvështrim, nuk gabon praktikisht asgjë: 2-0 imponohen në Rrogozhinë, përballë Vllaznisë, të besuarit e Longos, që e shohin veten provizorisht në vendin e parë të renditjes. Provë force e Kukësit, lëshojnë shkodranët, që ishin thirrur në cështje për të treguar se ishin pretendentët numër 1 për titullin kampion. Kuqeblutë e Brdaric dështuan në një garë ku Kukësi tregoi sjelljen e duhur taktike, me shkodranët që e mbyllën me 10 lojtarë.

E të mendosh se të paktën në pjesën e parë u luajt në ekuilibër mes dy formacioneve që kujdeseshin të mos pësonin, në një 90 minutësh që profilizohej fatal për atë që do të gabonte. E nëse gabimet nuk ndodhën në prapavija, përpara sulmuesit falën në më shumë se një rast. Aralica ka justifikimin e pozicionit jashtë loje, në minutën e 8, edhe pse duelin me Tafas e humbi e dukshëm madje. Nuk bëri më mirë Milunoviç, i vetëm me Zogoviç, në përgjigjen e menjëhershme të Kukësit, si provë e asaj që askush nuk do të tërhiqet për të bërë rezultatin.

Në këtë këndvështrim Viktor Da Silva, duhet të ketë në ndërgjegje epsiodin që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës, duke humbur golin e avantazhit për shkodranët në minutën e 24. Kështu, sepse 5 minuta më pas Shqiprim Taipi magjepsi të gjithë me një silurë nga jashtë zonës, që bëri të pavlefshëm cdo dëshirë për protagonizëm të portierit Zogoviç. Një gol fundosës, që shkodranët e ndjenë, në këmbë e në mendje, ndërsa Kukësi i Longos mori në duar mënyrën e ëndërruar të lojës.

Tani, pasimet e shumta, zotërimi i topit e kundërsulmi i shpejtë mund të vlenin fitoren, edhe pse skuadrat mbetën të shkurtra, duke i dhënë një ndërc të ri lojës, pas rifillimit. Longo humbi De Lukas të dëmtuar, Brdaric provoi Mustedanagiç, por presioni nuk i bëri mirë kuqebluve, gjërat për të cilët u komplikuan edhe në kontesktin e sfidës së ardhshme, me Gurishtën që do të mungojë kundër Tiranës, për këtë faull ndaj Ndrecës. Me një psikologji të tillë, vetëm gabimet individuale mund të bënin punë, por për fatin e Tafas ngatërresa e minutës së 75 nuk rezultoi fatale.

Një mundësi që Vllaznia nuk e kapi dot e për këtë mori edhe ndëshkimin e golit të dytë 8 minuta nga fundi. Ndreca dyfishoi shifrat dhe mbylli historinë e një ndeshje që premtonte shumë për Vllazninë, por përfundoi në të kundërt: Kukësi në krye, shkodranët të mundur e me dy lojtarë më pak për Klasiken, sepse edhe Mustedanagic nuk do të jepë i pikasur nga VAR për një ndërhyrje që Cjapi pas kontrollit e vlerësoi me karton të kuq.