RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë, mbyllen të parat e çerekfinaleve

  • 01/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa e Shqipërisë, mbyllen të parat e çerekfinaleve
Tirana mund Kastriotin 4-1, Egnatia-Laçi mbyllet 0-0. Të mërkurën: Vllaznia-Partizani 3-1 dhe Teuta Kukësi 2-0

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur fazën e saj çerekfinale dhe, pasi janë luajtur të martën takimet e para të dy çifteve të para të saj, të mërkurën në mbrëmje janë luajtur takimet e para të dy çifteve të tjera. Kështu, duke nisur nga ora 17:00, është zhvilluar përballja e Shkodrës, midis Vllaznisë dhe Partizanit, që në fakt është cilësuar edhe si një finale e parakohshme.

Shkodranët kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës brenda 31 minutave të para, me fillimisht me Kainën në të 11-tën e më pas me Çobën. Por Matondo do të shkurtojë shifrat për Partizanin, duke shënuar një gol të bukur në minutën e 44-t. Me rezultatin 2-1 në favor të kuqebluve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, në të 51-tën minutë, Kaina do të gjejë golin e tij të dytë në këtë takim dhe të 3-tin e Vllaznisë, që e mbron deri në fund fitoren dhe mposht  Partizanin 3-1.

Në takimin tjetër të mbrëmjes, Teuta mundi 2-0 Kukësin në Durrës, me da gola të shënuar nga i njëjti autor, Sherif Kallaku, që e festoi në mënyrën më të mirë datëlindjen e tij të 25-të. Takimet e para të dy çifteve të para u zhvilluan të martën pasdreke dhe, në Kamzë, Kastrioti është mundur 1-4 përballë Tiranës, kure takimi i parë i çiftit tjetër, ai midis Egnatias dhe Laçit, i luajtur po të martën pasdreke, është mbyllur me rrjeta të paprekura, me të dyja skuadrat që e lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e  kthimit sa i përket kualifikimit. Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë luhen më 14 dhe 15 mars 2023.