Java e 29-të e Abissnet Superiore në RTSH vazhdon ditën e sotme me tre ndeshje të tjera. Në orën 13:30 kampionët në fuqi të Egnatias do të vizitojnë Kurbinin ku i pret Laçi i Morieros.
Bardhezinjtë në katër javët e fundit kanë mundur të marrin vetëm një pikë ndërsa rrogozhinasit udhëheqin të qetë kampionatin me dy pikë më shumë se Dinamo (një ndeshje më shumë) dhe tre pikë më shumë se Vllaznia.
Për Edlir Tetovën kjo transfertë do të jetë e vështirë jo vetëm për faktin se do të ndeshet me një ekip të uritur për pikë. Do të jetë plot pesë lojtarë të Egnatias që do të mungojnë duelin e sotëm. Regi Lushkja, Sergio Ujka, Renato Malota, Edison Ndreca dhe Albano Aleksi nuk do të japin kontributin e tyre ndaj kurbinasve. Dy të parët do të mungojnë për arsye kartonësh, ndërsa 3 të tjerët për shkak dëmtimesh.