RTSH Sport Live

Laçi “fundos” Kukësin, vendos Lushkja

  • 03/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi “fundos” Kukësin, vendos Lushkja
Kurbinasit kanë marrë një fitore 2-0 në përballjen me verilindorët, takim i vlefshëm për javën e 31-të të Kategorisë Superiore

Laçi nuk gabon, fitore 2-0 në javën e 31-të të Kategorisë Superiore, në përballjen me Kukësin. Një fitore e rëndësishme për kurbinasit, të cilët ngjiten në kuotën e 53 pikëve, duke u bërë presion dhe skuadrave rivale për titull.

Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro zgjidhën gjithçka në pjesën e parë , me protagonist sulmuesin Regi Lushkja, i cili shënoi të dy golat e kësaj sfide. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 6-të, një penallti e fituar nga Mazrekaj u kthye në gol nga Lushkja me dy tentativa.

Kukësi u përpoq me Eze, por pa arritur të gjejë konkretizimin e duhur. Ndërkohë, në minutën e 31-të është përsëri skuadra kurbinase që shënon. Pas një aksioni model dhe pasimit të fundit të dhënë nga Harmon, Lushkja nuk fal, 2-0.

Në pjesën e dytë, Kukësi u përpoq më shumë, por pa sukses. Ndërkohë, Laçi u tregua më racional, por nuk munguan rastet për të trefishuar rezultatin.Gjithsesi, rezultati 2-0 mberi në fuqi deri në sinjalizimin e fundit, me Laçin që u gëzohet tri pikëve dhe me Kukësin që vazhdon të zhgënjejë.  

LAÇI-KUKËSI 2-0

Golat: Lushkja 6’, 31’