RTSH Sport Live

Laçi-Partizani në Kupë, Rama: Doja Dinamon

  • 24/02/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Laçi-Partizani në Kupë, Rama: Doja Dinamon
Drejtori sportiv i Partizanit ka komentuar shortin e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë

Nga kampionati në Kupë. Rivaliteti mes Partizanit dhe Laçit në këtë edicion futbollistik duket se nuk do mbarojë kurrë. Nëse në fundjavë do të përballen për javën e 21-të të Kategorisë Superiore, më 17 mars do të diskutojnë mes tyre çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku gjithçka do të vendoset në një ndeshje të vetme.

Drejtori sportive i Partizanit, Olsi Rama, i pranishëm në momentin e hedhjes së shortit, ka deklaruar:  “Kupa është një veprimtari, që për të fituar duhet të kalosh kundërshtarë të vështirë. Kështu që në qoftë se Laçi vjen në çerekfinale, gjysmëfinale, finale, kjo s’ka rëndësi. Është një ekip për t’u kaluar, me qenë se objektivi jonë është të fitojmë kudo. Ndeshjet teke janë bërë edhe në Ligën e Kampioneve vjet prej epidemisë, sigurisht që është më mirë ndeshje teke në këtë moment që jemi, që mos ngarkohen lojtarët.”

“Kalendari është shumë i ngjeshur, dihen arsyet. Do të shkojmë në Laç dhe do të luajmë për të fituar. Ne luajmë çdo ndeshja për ta fituar. Ndeshja e radhës është objektivi jonë. Do të synojmë të dyja trofetë. Partizani e ka për detyrë që të fitojë. Kupa nuk është çështje e nënvlerësimit. Të gjitha ekipet me kalendarin, vendosin prioritet e tyre”.

 “Kur po më pyesnin dje, i thashë dua të na bjerë derbi. Më thanë që Tirana është eliminuar, jo i thashë, derbi me Dinamon është shumë mirë. E kishim në kryeqytet, shmangnim angarinë e të marrit autobusin. Sidoqoftë, Laçi një orë larg është. Ndeshja e së shtunës është  me një ekip që është në formë, rival i denjë në këtë garë. Na ka mundur në Laç 3-1. Vetë kjo flet për rëndësinë, që stafi, lojtarët dhe klubi i jep një ndeshjeje të tillë.”

“Është skuadra më në formë e kampionatit me 5 fitoret rresht, e ka treguar. Unë gjithmonë shikoj Partizanin, edhe ne jemi shumë në formë. Duhet të jemi në vazhdën e lojërave që kemi bërë”.