RTSH Sport Live

Laçi rikthehet të marshojë

  • 08/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi rikthehet të marshojë
Bardhezinjtë mposhtin 4-1 Kastriotin dhe e çojnë në tetë serinë pozitive

Matematika e titullit nuk i kishte hequr dëshirën për fitore Laçit, përkundrazi, skuadra e Duros likuidon me forcë 4-1 Kastriotin në javën e 33-të të Superiores, duke e çuar në tetë serinë e ndeshjeve pa humbje, që kur tekniku u rikthye në pankinën kurbinase. Humbja e dytë radhazi për krutanët e Çelës, që gjithësesi misionin e tyre për këtë sezon e kryen dhe ndonjë ulje përqendrimi për mungesën e objektivit edhe mund të qendrojë. Të pashqetësuar në zonat e tyre në Laç u luajt hapur dhe pa tension në këmbët e futbollistëve, që u kuptua edhe nga intensiteti i rasteve të krijuara, me të besuarit e Çelës që tentuan ti qendrojnë përballë kundërshtarit dhe me Didën e Grecën iu përgjigjën Ujkës e Guindos, në atë që ishte një ndeshje zbavitëse për tifozët.

Në minutën e 34-ët megjithatë u desh një VAR për të zhbllokuar ndeshjen, me teknologjinë që korigjoi Bastarin, që prekjen me dorë të Roganoviç nuk e vlerësoi penallti. Pamjet e bënë arbitrin të ndryshonte mendim, duke i dhënë Ajazit mundësinë të shënonte avantazhin nga pika e bardhë. 0-1 në minutën e 38-të dhe një kthesë spektakolare loje, me kurbinasit që përmbysën gjithçka në katër minuta çmenduri. Adeleke në gjysëm-kthesë la Salin të pashpresë në minutën e 40-të, por ende pa u shuar mirë jehona e barazimit  e bardhezinjtë shënuan të dytin me Shehun, i gjetur në perfeksion nga Deliu.

Dyshja e artë e mesfushës së Duros është kthyer të xhirojë me ritme të larta e bashkë me të i gjithë Laçi, që pjesën e dytë e luajti me sens unik, duke shtypur Kastriotin në zonën e tij. Krutanët pranuan në një farë mënyrë supremacinë e kundërshtarit, me përjashtim të Salit, që i provoi të gjitha për të ndalur valën bardhezi. Në të 47’ devijoi në kënd goditjen e Adelekes, 7 minuta më vonë shpëtoi nga turpërimi gjithë prapavijën që ishte gjunjëzuar ndaj finteve të Shehut. E megjithatë, edhe portieri duhet të ulë flamurin e rezistencës, i siluruar nga distanca nga Qato në minutën e 63-të, me Salin që këtë herë nuk mund të bënte asgjë.

Pasivi i Kastriotit mund të ishte edhe më i rëndë, sepse dy minuta më pas Bastari akordoi penallti për kontrastin mes Nezirit e Guindos. Edhe këtë herë arbitri ka parë keq, sepse pas kontrollit me VAR anulon vendimin e tij. Ka lavdi edhe për Zarubicën, që firmosi pokerin pak para mbylljes së kohës së rregullt.

Laçi blindon vendin e dytë me 60 pikë, të paprekshëm edhe matematikisht dhe tani mendon vetëm për finalen e Kupës me Vllazninë, ndërsa krutanët kanë nevojë vetëm për një pikë në tri ndeshjet e mbetura për të shpëtuar matematikisht, gjithnjë nëse nuk duan të luajnë lojën e golavarazhit me Egnatian.