RTSH Sport Live

Lukas Dinje, katër vite me Aston Vilën

  • 14/01/2022
  • |
  • Angli
Lukas Dinje, katër vite me Aston Vilën
Mbrojtësi i majtë francez lë Evërtonin për t’iu bashkuar skuadrës së Zherard

Aston Vila e Stiven Zherard bën një tjetër përforcim në merkaton dimërore. Pas Kutinjos të ardhur nga Barcelona, tashmë zyrtarisht pjesë e skuadrës nga Birmingami është bërë edhe Lukas Dinje, që ka lënë Evërtonin për t’iu bashkuar Aston Vilës këtë të enjte. Mbrojtësi i majtës i kombëtares franceze, 28 vjeç dhe 43 ndeshje me blutë, që ishte i lidhur me Evërtonin deri më 2025, ndërsa i kishte ftohur marrëdhëniet me Rafael Benitez, ka nënshkruar një kontratë prej katër vitesh me ekipin e Stiven Zherard.

Çmimi i transferimit ishte 30 milion euro, kurse Aston Vila është klubi i gjashtë për Dinje, i cili më parë ka luajtur për Lilë, Paris Sen Zhermen, Romën, Barcelonën dhe së fundmi me Evërtonin. Në katër vite me Evërtonin ka luajtur 113 ndeshje e ka shënuar katër gola, ndërsa ky duket se do të jetë një përforcim cilësor për Zherard, që kësaj të diele do të ketë ndeshjen me Mançester Junajted në kampionat si një mundësi hakmarrje për atë skualifikim të pamerituar në FA Cup.