Redaksia e RTSH Sport njoftoi menjëherë pas humbjes përballë Egnatias (0-4) se trajneri i Tiranës, Gugash Magani kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij. Por, drejtuesit e klubit nuk e kishin pranuar atë në ato momente.
Sot duket se situata ka ndryshuar dhe klubi bardheblu sapo ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e teknikut dhe se palët kanë mbyllur bashkëpunimin.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se ka pranuar dorëheqjen e ish-trajnerit Gugash Magani. KF Tirana njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun Magani. Klubi e falenderon për kontributin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e stolit bardh e blu dhe i uron suksese në vijim”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Janë të shumtë emrat e kandidatëve të mundshëm për të marrë stolin e Tiranës, por sipas burimeve të RTSH Sport pritet që të ketë një rikthim të bujshëm në pankinën bardheblu, me Bledi Shkëmbin, që rikthehet në krye të skuadrës, të cilën e ndërtoi vetë në fillim të sezonit.