RTSH Sport Live

Magani: Na mungon stadiumi

  • 15/12/2020
  • |
  • Futboll Vendi
Magani: Na mungon stadiumi
Trajneri i Egnatias i ftuar në emisionin “E hëna Sportive” tregon se ekipit të tij, i duhet shumë pak për të qënë pjesë e superiors sezonin e ardhshëm

Trajneri i mirënjohur, Gugash Magani do të kërkojë këtë sezon të triumfojë me Egnatian dhe të rikthehet në vitin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar me rrogozhinasit. Ekipi i drejtuar prej tij është në rrugë të mbarë teksa kryeson renditjen në Grupin B të Kategorisë së Parë, ndërsa trajneri i ftuar në “E hëna sportive” në RTSH, thekson se Egnatia ka një organizim perfekt.

“Sezonin e kaluar isha pjesë e Besës, ndërsa këtë vit me Egnatian. Mendoj që sezonin e kaluar skuadra më e fortë ishte Pogradeci dhe Lushnja edhe pse në Superligë u ngjit Apolonia. Këtë vit po drejtoj Egnatian dhe ndryshe nga skuadrat e tjera kemi një organizim perfekt. Kam drejtuar skuadra në Superligë dhe vetëm në 2-3 ekipe kanë pasur një organizimi të tillë. Ajo që nga mungon për momentin është vetëm stadiumi”.

Çfarë iu bindi për të pranuar ofertën e Egnatias? “Projekti afatgjatë pasi nuk mund të arrish sukses në një kohë të shkurtër në futboll. Më bindi presidenti që është shumë korrekt dhe nuk ka shumë fjalë. Kam firmosur një kontratë dy vjeçare dhe nuk ishte problemi financiar pasi ai e zgjidhi për 5 minuta. I kërkova të merrnin lojtarë me eksperiencë dhe të rinj në merkato për të arritur objektivin”.

Rivalët për vendin e parë? “Rezultatet nuk tregojnë ndonjëherë vlerën e skuadrës që drejton. Ne duhet të ishim me pikë të plota nëse do të tregoheshin të kujdesshëm. Pogradeci është një skuadër e vështirë për t’u mundur në shtëpi edhe pse ne fituam në minutë të 85-të. Gjithashtu është edhe Lushnja, por edhe Besa që barazuam”, u shpreh Magani në emisionin “E hëna sportive” në RTSH.