RTSH Sport Live

Maqedonia e Veriut vijon të flasë shqip

  • 21/10/2021
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut vijon të flasë shqip
Liga e Parë kryesohet nga dy ekipet shqiptare, Shkupi dhe Renova, mbeten prapa dy të tjerat

“Prva Liga”, apo Liga e Parë, siç njihet ndryshe niveli më i lartë i Kampionatit të Futbollit të Maqedonisë së Veriut vijon këtë sezon të flasë bindshëm shqip. Dhe pasi sezonin e shkuar ishin 3 skuadra shqiptare, Shkëndija e Tetovës, që u shpall kampione, por edhe Shkupi dhe Struga, që e mbyllën në 3 vendet e para të renditjes, kjo prirje ka vijuar edhe këtë sezon. Dhe, në prag të javës së 11-të, që është edhe e fundit e fazës së parë, është nënkampionia e sezonit të shkuar, Shkupi, që synon të shkojë një hap më larg këtë sezon, që kryeson renditjen në kuotën e 23-pikëve, pas 7 fitoreve, dy barazimeve dhe një humbjeje në 10 ndeshjet e para, ku ka edhe sulmin më të mirë, me 19 gola të shënuar, dhe mbrojtjen më të mirë, me vetëm 6 të pësuar.

 Dhe pas skuadrës kryeqytetase vjen një tjetër skuadër shqiptare, Renova, e cila mban vendin e dytë, me 21 pikë, dy më pak sesa Shkupi kryesues por 3 më tepër se ndjekësja më e afërt, Akademia Pandev. Ndërkaq kanë mbetur prapa dy skuadrat e tjera shqiptare në këtë kampionat, pasi kampionia në fuqi, Shkëndija e Tetovës, mban vendin e 6-të, me vetëm 14 pikë të marra pas 10 javësh, po aq sa ka edhe Struga e vendit të 7-të. Megjithatë, ka mbetur edhe pak më tepër sesa 60 % e sezonit për t’u luajtur në Maqedoni dhe këtë fundjavë sytë do të jenë tek përballja e kreut, derbi shqiptar midis Shkupit të vendit të parë dhe Renovës së vendit të dytë, që luhet pasdreke në kryeqytet.

Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut

23/10/2021:

(14:00)  KF Shkupi - Renova

24/10/2021:       

(14:00)  Borec - Akademija Pandev

(14:00)  Pelister Bitola - Bregalnica Shtip

(14:00)  Skopje - Tikvesh Kavadarçi

(14:00)  Shkëndija Tetovë - Rabotniçki Skopje

(14:00)  Makedonija Gjorce Petrov - Struga Trim & Lum

Renditja