RTSH Sport Live

Markez-Miller, binomi i shpejtësisë në SHBA

  • 02/10/2021
  • |
  • Moto GP
Markez-Miller, binomi i shpejtësisë në SHBA
Mbizotërojnë në provat e lira të Çmimit të Madh të SHBA-së, provat zyrtare, sonte në RTSH 2 (20:30)

Dy të parët në pistë të lagur, dy të parët në pistë të thatë. “Honda” dhe “Dukati” mbizëtoruan 10-shen e të parëve në dy seancat e para të provave të lira të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Mark Markezin dhe Xhek Millerin që ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës, “rrotë më rrotë”. Koha prej  2 minutash, 4 sekondash e 164 të mijëtat e Markezit ishte vetëm 15 të mijëtat më e shpejtë sesa ajo e australianit, ndërsa pas tyre, më i shpejti ishte kryesuesi i renditjes së përgjithshme të pilotëve, Fabio Kuartararo i “Jamaha”-s zyrtare.

Në fakt, me kapriçot e motit që kanë përcaktuar shumëçka sa i përket ecurisë së këtyre dy seanca të para të provave të lira në pistën e Ostinin në Teksas, ka qenë 6-herë fituesi i kësaj gare, Mark Markez, i mbiquajtur me përkëdheli edhe si “Captain America”, ai që i dha tonin të premtes, duke vendosur që në fillim kohët më të shpejta.

Ndonëse renditja e këtyre dy seancave ndryshoi shpesh emër në krye të saj, gjithçka u vendos në fund, kur Kuartararo ishte më i shpejti, por Markez u rikthye, duke regjistruar kohën më të shpejtë dhe duke e mbajtur vendin e parë, pavarsisht sulmit të fundit të Xhek Millerit. Australiani ishte vetëm 15 të mijëtat më i ngadalë sesa spanjolli, ndërsa francezi ishte 202 të mijëtat e sekondës prapa.

Këto dy seanca të para të provave të lira mund të rezultojnë vendimtare, pasi parashikimi i motit nuk e përjashton anulimin e dy seancave të tjera gjatë ditës së të dielës, dhe pilotët do t’u drejtohen provave zyrtare të mbrëmjes, që do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2.

 

 

 

Top 10:

  1. Marc Marquez (Repsol Honda Team) – 2:04.164
  2. Jack Miller (Ducati Lenovo Team) + 0.015
  3. Fabio Quartararo (Monster Energy Yamaha MotoGP) + 0.202
  4. Pol Espargaro (Repsol Honda Team) + 0.388
  5. Takaaki Nakagami (LCR Honda Idemitsu) + 0.448
  6. Francesco Bagnaia (Ducati Lenovo Team) + 0.499
  7. Jorge Martin (Pramac Racing) + 0.513
  8. Johann Zarco (Pramac Racing) + 0.559
  9. Alex Rins (Team Suzuki Ecstar) + 0.638
  10. Enea Bastianini (Avintia Esponsorama) + 0.672