RTSH Sport Live

Markez operohet për herë të katërt

  • 03/06/2022
  • |
  • Moto GP
Markez operohet për herë të katërt
Nuk dihet koha e rikthimit në pistë për pilotin spanjoll

Ka përfunduar me sukses operacioni i kryer në shpatullën e Marc Marquez. Mjekët e klinikës Amerikane kanë deklaruar se ndërhyrja kirurgjikale, e cila zgjati tre orë, është vlerësuar e suksesshme dhe pa komplikime. Dr. Sanchez Sotelo, president i Divizionit të Kirurgjisë së Shpatullave dhe Bërrylit në Klinikën amerikane ka sqaruar se ndërhyrja ka konsistuar në heqjen e dy vidave proksimale të pllakës së pasme të vendosura më parë në dhjetor 2020, e ndjekur nga një osteotomi rrotulluese humerale.

Kjo procedurë përfshin krijimin e një prerjeje tërthore në kockën humerale për të rrotulluar humerusin përgjatë boshtit të tij gjatësor. Rrotullimi i kryer në këtë ndërhyrje është rreth 30 gradë e tashmë humerusi është stabilizuar. Nuk dihet ende koha e rikthimit të pilotit spanjoll në pistë, por mendohet të paktën pas 4 muajsh.

Ky është operacioni i katërt që kryen spanjolli në shpatull në harkun kohor prej 1 vit e gjysmë. Marquez do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim për t’u siguruar se vijimësia pas operacionit është e mirë përpara se të kthehet në Spanjë për të vazhduar planin e trajtimit.