RTSH Sport Live

Martini ndryshon “sistemin”

  • 18/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Martini ndryshon “sistemin”
Probleme formacioni për Teutën, para transfertës në Rrogozhinë me Egnatian

Një ndeshje direkte për Europën ajo në Rrogozhinë kundër Egnatias, që Teuta kërkon ta luajë në mënyrën e duhur. Të besuarit e Tetovës janë në vendin e tretë, katër pikë nga durrsakët, që duhet të fitojë për të vazhduar të shpresojnë, por edhe për të mbajtur nivelin e intensitetit të rezultateve pozitive të tre muajve të fundit.

Probleme formacioni edhe ka, me Beqjan që është i skualikuar e Goxhajn e Qaqin që vazhdojnë të mungojnë. Kështu, Martini është gati të ndryshojë sistemin e lojës për të kaluar në një 3-5-2 që jep më shumë garanci në mbulim. Qirko mes shtyllave do të ketë përpara Jazxhi, Kotobelli e Kuro. Një treshe që do të ketë asistencën edhe të Markun e Gjinollarit në krahë.

Karabeci, E. Vila e Kallaku do të kompletojnë repartin me fantazistin e ardhur nga Tirana, që do të ketë detyrën të mbështesë edhe dyshen ofensive L. Vila-Gruda. Një skemë që i jep mundësinë Martinit edhe të ketë kontroll më të lartë mbi Dwamena, njeriu më i rrezikshëm i rrogozhinasve.

Përveç Jazxhi, që do të jetë i pari që do të luajë në mbulim me sulmuesin e Egnatias, edhe Karabeci do të jetë filtër në mesfushë, me një vëmendje të madhe në lëvizjet e Dwamena. Precedentët sezonale i japin avantazh Teutës, që në fazën e parë shkoi të fitonte 1-2 në Rrogozhinë, ndërsa në të dytën në Niko Dovana, Egnatia i rrëmbeu barazimin. Gjithësesi, Martini shpreson që efikasiteti i fushës armike të bëjë punë edhe këtë herë… E.S.