RTSH Sport Live

Merkato në Kategorinë Superiore

  • 01/07/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Merkato në Kategorinë Superiore
Partizani forcon mbrojtjen, Vllaznia “blindon” talentet

Partizani forcon mbrojtjen. Klubi i kuq, zyrtarizoi mbrojtësin Filip Gligorov, i cili do të jetë një emër shumë i rëndësishëm për t’i dhënë një dorë ekipit në sfidën e parë europiane kundër ekipit moldav të FC Sfintul Gheorghe që do të luhet në datën 8 Korrik në “Elbasan Arena”. Mbrojtësi 27 vjeçar nga Maqedonia e Veriut është vënë menjëherë në urdhrat e trajnerit Daja që aktualisht po e drejton skuadrën në seancat stërvitore që po zhvillohen në Kamëz. Gligorov mbylli sezonin me Shkupin në vendin fqinjë, por në të shkuarën është aktivizuar edhe në Sllovaki, Bosnjë Hercegovina, Rumani e madje edhe me Vllazninë në sezonin 2019-2020.

Takimi i parë i raundit të parë të Ligës së Konferencës të gjykohet nga zvicerani Lukas Fandrik, i asistuar nga Jonas Erni dhe Guilame Maire , ndërsa arbiter i katërt do të jetë Stefan Horisberger, ndërsa stadiumi i “Elbasanit” do të hapër dyert me 30 % kapacitet.

Goditje të madhe për ndeshjet europiane ka bërë edhe klubi i Teutës që zyryarizoi sulmuesin e Tiranës, Taulant Seferi për sfidat kontinentale. Lojtari i Kombëtares Shqiptare do të forcojë repartin e avancuar të ekipit të Edi Martinit për duelet me Sheriff Tiraspol por edhe për sfidat e tjera. Përsa i përket ndeshjes me skuadrën moldave, në takimin që do të zhvillohet më 7 korrik në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”, arbitër kryesor do të jetë bjellorusi Amin Kurgheli, i cili vendosi drejtësi edhe në përballjen e 4 Qershorit mes Andorrës e Shqipërisë së 21 vjeçarëve.

Në Shkodër, klubi i Vllaznisë është fokusuar tërësisht te kontratat me lojtarët e akademisë. Orët e fundit, 19-vjecari Mersian Muliu ka hedhur të zezën mbi të bardhë. Sulmuesi bashkohet kështu me ekipin në seancat stërvitore dhe bashkë me mbrojtësin e akademisë, Geralb Smajli që hodhi gjithashtu firmën në kontratën e parë si profesionist, do të jenë dy përforcime të rëndësishme për sezonin e Vllasnisë në Superiore.

Kontratat e dy talenteve të akademisë janë 5-vjecare çka do të thotë se klubi shkodran nuk dëshiron t’i humbasë pas 1 apo 2 sezoneve siç ka ndodhur ne të shkuarën me shumë emra që kanë shpërthyer në Shkodër por më pas kanë vendosur të largohen.

Dinamo e pandalshme. Pas afrimit të Patrik Bardhit rreth një javë më parë, gjatë 24 orëve të fundit, nëndetësja ka dalë në sipërfaqe duke bërë dy goditje në merkato. I pari është qëndërmbrojtësi malazez Aleksandar Sofranac. Bëhet fjalë për një lojtar shtatlartë me parametra të mirë fizikë që vjen në Shqipëri pas një karriere të gjatë në disa klube nga Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kroacia e Belgjika.

Ai ka qenë gjithashtu edhe pjesë e kombëtares malazeze. Një tjetër lojtar që forcon ndjeshëm grupin blu është edhe sulmuesi 22-vjeçar, Xhuliano Skuka që bëhet afrimi i tretë zyrtar në skuadrën e Bledi Shkëmbit. Skuka u aktivizua me Korabin gjatë sezonit të kaluar.