RTSH Sport Live

Mesi, për sfidat me Ronaldon: Do mbeten në histori

  • 23/11/2021
  • |
  • Futboll Bota
Mesi, për sfidat me Ronaldon: Do mbeten në histori
Kampioni argjentinas vlerëson CR7: "Nukështë e lehtë të vendosesh kështu në Angli. Po shënon shumë, si gjithmonë"

"Gjithmonë dua më të mirën për Barcelonën. Do të jem gjithmonë një tifoz i saj, pavarësisht se nuk luaj më atje. Gjithmonë kam thënë që herët a vonë do të kthehem në Barcelonë sepse është shtëpia ime dhe sepse do të jetoj atje dhe sigurisht nëse mund të kontribuoj dhe ndihmoj klubin do të doja të kthehesha”. Lionel Messi i përgjigjet në distancë deklaratave të presidentit të Barcelonës, Laporta, i cili kishte parashikuar një rikthim (por jo si futbollist) të argjentinasit dhe Iniestës.

Në një intervistë të gjatë për Marca-n, Messi rrëfen aventurën e tij në Spanjë, betejat me Cristiano Ronaldon dhe fillimin e jetës së tij të re në Francë. "Tani jam shumë mirë. Jam përshtatur plotësisht, ashtu si dhe familja ime. Frëngjishtja është më e lehtë se sa e mendoja. Në fillim më bëri çudi të stërvitesha së bashku me Sergio Ramos pas kaq shumë vitesh si rivalë, por e vërteta është se ta kesh atë si shoqërues është një spektakël. Mbappè është i fokusuar te PSG, por vetëm ai e di të ardhmen e tij”.

Messi hap librin e shënimeve, duke nisur nga sfidat me Cristiano Ronaldon. "Manchester United është një skuadër shumë e fortë me lojtarë të mëdhenj. Cristiano tashmë e njihte klubin, por ai ishte në një fazë tjetër dhe tani është përshtatur në mënyrë mbresëlënëse. Që në fillim ai shënoi gola si zakonisht dhe nuk kishte fare probleme. Në Premier League nuk është aq e lehtë sa e kemi menduar të gjithë, por është një kompeticion shumë i vështirë dhe uniform”.

Me CR7 kishte sfida të rëndësishme në La Liga: "Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi ndaluar së konkurruari në të njëjtën ligë. Garuam individualisht dhe si ekip për të njëjtat qëllime. Ishte një fazë shumë e bukur për ne dhe gjithashtu për njerëzit, sepse ata u argëtuan shumë. Është një kujtim i bukur që do të mbetet në historinë e futbollit”.