Pas përfundimit të fushave të reja në Arbanë te kompleksi i Dinamos dhe në Vorë, tashmë është gati edhe një tjetër fushë e re me përmasa standarde që do të jetë në dispozicion për futbollistët e rinj në qarkun sportiv të Tiranës. Me investimin e FSHF-së, Qendrës së Ekipeve Kombëtare në Kamëz i është shtuar edhe një fushë e tretë me tapet artificial. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe, që tashmë është vënë dispozicion të fëmijëve që aktivizohet me futbollin e moshave.
“Para pak ditësh përfunduam një fushë në Arbanë, një tjetër në Vorë, vazhdojnë punimet në disa fusha të tjera, me qëllim që ju të keni kushte sa më të mira. Por jo vetëm ju, edhe shokët e juaj që nuk kanë ardhur akoma në futboll. Edhe ata të afrohen sa më shumë në futboll. Futbolli do t’ju bëjë qytetarë më të mirë, më të shëndetshëm. Asnjë nga ju, pavarësisht nëse trajneri do t’ju aktivizojë 90 minuta apo më pak, mos u largoni nga futbolli. Pavarësisht nëse do të bëheni futbollistë apo nuk do të bëheni futbollistë shumë të mirë. Megjithëse ju të gjithë doni të bëheni si Ronaldo apo si Mesi. E rëndësishme është që edukoheni më mirë këtu, se sa ta kaloni kohën jashtë fushave të futbollit”, tha Armando Duka.
Presidenti i FSHF-së, ka nxitur gjithashtu fëmijët që të vazhdojnë të angazhohen në futboll, ndërkohë që do të kenë mbështetjen maksimale nga Federata me uniforma e topa falas, por edhe përmes projekteve të tjera në të ardhmen.